Ambasadori palestinez në Ankara, Faed Mustafa, ka kërkuar veprim urgjent derisa ka akuzuar Izraelin për përpjekje për të shkatërruar zgjidhjen me dy shtete, raporton Anadolu.
Ambasadori palestinez foli në hapjen e konferencës “Një vit pas gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe efektet e tij rajonale”, organizuar në Ankara nga Fondacioni për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA). Në adresimin e tij, ai tha se “derisa e gjithë bota flet për zgjidhjen me dy shtete, “Izraeli i vetëm po përpiqet ta shkatërrojë, ta vrasë dhe ta zhdukë atë”.
Mustafa theksoi se masakrat dhe krimet e nisura nga sulmet e Izraelit nuk kanë të ndalur dhe vazhdojnë të përhapen në të gjithë Lindjen e Mesme.
Pavarësisht pengesave, Mustafa pohoi se Palestina nuk do të braktisë synimin për krijimin e një shteti të lirë dhe të pavarur. Ai theksoi se shumë vende dhe popujt e tyre e mbështesin Palestinën dhe se perceptimet kanë ndryshuar.
Ai gjithashtu përmendi sulmet e Izraelit ndaj Libanit dhe rritjen e tensioneve midis Tel Avivit dhe Iranit, duke paralajmëruar se nëse Izraeli nuk ndalet, pasojat do të jenë edhe më të mëdha. Ai theksoi se Izraeli është burimi kryesor i tensionet në rajon.
Më tej, Mustafa tha se mbështetja e rëndësishme dhe e vazhdueshme logjistike, politike dhe ushtarake që SHBA-ja i ofron Izraelit e forcon administratën në Tel Aviv.
“Njerëzimi po përballet me një provë të re. Stabiliteti dhe siguria mund të arrihen vetëm kur të drejtat e popullit palestinez të sigurohen dhe të krijohet një shtet i lirë dhe i pavarur palestinez”, theksoi ai.
Ambasadori palestinez vlerësoi mbështetjen e popullit turk dhe institucioneve turke që u sjellin nder palestinezëve.
Izraeli vazhdon me ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas sulmit nga grupi palestinez Hamas vitin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 42 mijë palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 97.700 të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Për veprimet në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.