Liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk komentuan zgjedhjet në Itali të cilat i fitoi e djathta ekstreme “Vëllezërit e Italisë (FdI)” e udhëhequr nga Giorgia Meloni dhe aleanca e krahut të djathtë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen javën e kaluar, tri ditë para zgjedhjeve në Itali tha se “Nëse gjërat shkojnë në drejtim të vështirë, ata mund të përdorin mjete si në shembujt e Hungarisë dhe Polonisë”.
Pasi fitues i zgjedhjeve ishte aleanca e krahut të djathtë, sytë u kthyen sërish nga Von der Leyen dhe liderët e tjerë të BE-së.
Megjithatë, as Von der Leyen, as presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe as Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell nuk dhanë ndonjë deklaratë rreth çështjes në fjalë.
Liderët e Unionit zakonisht reagojnë për zgjedhjet e mbajtura në vendet e BE-së në një kohë të shkurtër dhe lëshojnë mesazhe urimi.
Së fundmi, të tre liderët uruan Britaninë e Madhe në Twitter në të njëjtën ditë me rastin e zgjedhjes së kryeministres së re, Liz Truss.
Udhëheqësit evropianë uruan brenda një kohe të shkurtër edhe Emmanuel Macronin, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në Francë më 24 prill.
Udhëheqësit e BE-së poashtu uruan Sergio Mattarellan, i cili u zgjodh president për herë të dytë në Itali më 29 janar.
“Ditë e zezë për Evropën dhe Italinë”
Reagimet për zgjedhjet nga BE-ja u kufizuan në disa deputetë me ndikim, të cilët postuan mesazhe shqetësuese.
Kreu i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, grupi i dytë më i madh politik në Parlamentin Evropian (PE), Iratxe Garcia Perez në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter tha: “Po vjen post-fashizmi i Melonit në Itali. Vjen dorë për dore në aleancë me Forza Italia nga EPP dhe Lega nga ID. Ditë e errët për Italinë dhe Evropën. Partia Demokratike do të udhëheqë opozitën dhe ne qëndrojmë me ta!”.
Nënkryetarja e PE-së, Katarina Barley (nga Partia Social Demokrate Gjermane) tha se fitorja e Melonit ishte “alarmante” dhe tha se Meloni do të merr si model kryeministrin hungarez, Victor Orban dhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Bashkëkryetari i Grupit të të Gjelbërve të PE-së, Thomas Waitz vuri në dukje se BE-ja duhet të jetë e bashkuar në tejkalimin e krizave të tilla si energjia, sanksionet kundër Rusisë, epidemitë dhe se zgjedhja e Melonit “mund të jetë një fatkeqësi për Evropën”.
Kreu i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber, grupi më i madh politik në PE, zgjodhi të heshtë.
Një nga zëdhënësit e KE-së, Eric Mamer, në përgjigjen ndaj pyetjes së një gazetari në konferencën për media tha se presidentja e Komisionit punon me qeverinë e zgjedhur të çdo vendi anëtar dhe është e gatshme të vendosë marrëdhënie konstruktive me Italinë. /aa