Bashkimi Evropian (BE) tha se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të takohen në Bruksel pa parakushte për të ulur tensionet dhe për t’u kthyer në dialogun Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE-ja, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, në konferencën e përditshme për media është përgjigjur në pyetjen për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.
Stano tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ka ftuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për të ulur tensionet dhe për t’u kthyer në dialogun Beograd-Prishtinë.
Ende nuk ka përgjigje pozitive
Duke thënë se ende nuk ka marrë përgjigje pozitive nga liderët, Stano tha se “BE-ja pret një qëndrim të arsyeshëm nga vendet që duan të bëhen anëtare. Ne i ftuam të dy dhe presim që të vijnë pa asnjë parakusht”.
Duke thënë se kjo çështje do të diskutohet në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së që do të mbahet më 26 qershor dhe në samitin e liderëve të BE-së më 29-30 qershor, Stano theksoi se kjo tregon rëndësinë që BE-ka i kushton çështjes.
Ai tha se ftesa e Borrelit duhet cilësuar si një mundësi për palët para këtyre takimeve. “Në të kundërtën, do të ketë pasoja për qytetarët si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Kjo do të jetë përgjegjësi e vetëm dy liderëve. Nuk është përgjegjësi e askujt tjetër”, shtoi ai.
Në vlerësimin e tij të djeshëm, presidenti serb Vuçiq tha se Procesi i Dialogut Beograd-Prishtinë është “i pakuptimtë” në rrethanat aktuale dhe se nuk do të flasë për asgjë derisa serbët e Kosovës të ndaluar të lirohen.