RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Begaj: Proces zgjedhor të paanshëm, shitblerja e votës e patolerueshme

begaj:-proces-zgjedhor-te-paanshem,-shitblerja-e-votes-e-patolerueshme

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me drejtues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara me zgjedhjet.

Gjatë këtij takimi Presidenti përcolli mesazhin për rëndësinë e sigurimit të standardeve zgjedhore, si garanci e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve.

“Sigurimi i standardeve zgjedhore jep garanci për një pushtet i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në Kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit tonë”, tha Begaj.

“Me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi ynë ka hapur qartazi një faqe të re në historinë e demokracisë shqiptare. Proceset demokratike në Shqipëri janë ndërtuar, zhvilluar dhe forcuar me kontributin e çdo bashkëqytetari të angazhuar brenda e jashtë vendit. Institucionet që ju përfaqësoni, kanë përgjegjësinë e madhe të prezantimit, menaxhimit dhe performancës, të të gjithë procesit zgjedhor sipas standardeve demokratike”, u shpreh Kreu i Shtetit.

“Miradministrimi i këtyre zgjedhjeve nga ana juaj, sipas përgjegjësive që ju ngarkon ligji, duhet të përmbushi këto standarde të pacenueshme, në mënyrë që këto zgjedhje të mos cilësohen thjesht si më të mira se sa ato të viteve të mëparshme”, tha Begaj.

“Është mëse e natyrshme që partitë politike të përfshihen në fushatë elektorale me gjithë entuziazmin që përfaqësojnë ofertat politike, por ky nuk mund të jetë entuziazmi i asnjë aktori institucional përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Partitë politike duhet të paraqesin vetëm ofertën! Kjo ofertë duhet dhënë në mënyrë sa më të qartë dhe sa më transparente”, theksoi Begaj.

“Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe me forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore, për të cilat institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre”, u shpreh Begaj.

Sot, vijoi Presidenti Begaj, “kuadri zgjedhor është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse janë më të avancuara. Fenomenet e shitblerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të patolerueshme”.

“Policia, si dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor. Organizuesit dhe monitoruesit e zgjedhjeve, gjithashtu dhe të gjitha institucionet e përfshira në proces, duhet të punojnë me paanësi, e përgjegjshmëri”, tha Begaj.

“Ju, jeni mbrojtësit e standardeve zgjedhore, jeni garantët e lirisë dhe të ndershmërisë së zgjedhjeve. Ju jeni garantët e demokracisë shqiptare! Çdo votues duhet të ushtrojë të drejtën kushtetuese përmes votës, e cila duhet të pasqyrojë vullnetin e tij dhe të askujt tjetër. Ne kemi në dorë që qytetarët të kenë zë, të drejtë zgjedhjeje e të jenë vendimtarë mbi fatin e propozimeve mbi bazën e programeve që i bëhen. Idetë dhe iniciativat duhet të mbështeten në mënyrë që Shqipëria të mbrojë e të fuqizojë potencialin e madh natyror, kulturor e njerëzor që ka” nënvizoi Begaj.

“Aktorët zgjedhorë institucionalë, ashtu si dhe aktorët mediatikë, kanë përgjegjësi po aq sa partitë politike që shtetasit të dëgjohen, të respektohen dhe që kjo fushatë të bëhet çliruese e jo penguese e mundësive për një pushtet, i cili duhet të jetë i tëri në funksion dhe për qytetarët”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u bëri thirrje të gjithë subjekteve të përfshira në fushatë elektorale, “që të mos e konsiderojnë konkurrimin si mundësi të denigrimit të njëri-tjetrit, por të angazhohen në garë me idetë më inovative për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe për zhvillimin social-ekonomik të tyre, duke ruajtur kulturën, traditat, si dhe duke mbrojtur mjedisin e secilës prej njësive vendore të vendit tonë”.

“Etika e garës dhe e komunikimit duhet të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt, jo negativitet armiqësi apo agresivitet; argumente dhe jo sharje; mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime; respekt të ndërsjellë dhe jo armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Kjo është fryma me të cilën duhet të zhvillohet një debat i natyrshëm publik përpara një procesi zgjedhor. Media është gjithashtu një nga aktorët e rëndësishëm për të garantuar një proces zgjedhor sa më të lirë e të ndershëm. Të mbështeten gazetarët në misionin e tyre të përcjelljes të zërit të qytetarëve, si dhe të pasqyrimit në mënyrë të paanshme të të gjithë procesit dhe platformave të kandidatëve”, theksoi Kreu i Shtetit.

“Organizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira, të ndershme dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane, çka synon forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe hedhjen e hapave të sigurt drejt anëtarësimit në BE. Për këto dy aspirata, këto zgjedhje kanë një rol vendimtar. Ndërsa ju, partitë politike, ne të gjithë bashkërisht, kemi përgjegjësinë që ky rol të përmbushet”, theksoi Begaj.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Begaj tha se, “zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e jetesës së përditshme, duke filluar nga rruga ku kaloni çdo ditë, lagjja ku rriten fëmijët tuaj, si dhe qyteti apo fshati ku ju banoni. Ndaj ju lutem, në këto zgjedhje, me efekte të menjëhershme në përditshmërinë tuaj, ushtroni vullnetin tuaj, të mirëinformuar dhe krejt të lirë. Çdo intimidim apo shantazh duhet të denoncohet e dënohet”.

“Ju ftoj të ushtroni të drejtën dhe pushtetin e votës suaj me gjithë forcën që i takon, duke përmbushur detyrimin tonë qytetar. Zgjedhjet nuk janë të partive politike,
por janë për qytetarët shqiptarë, janë për Shqipërinë”, përfundoi Begaj. /atsh

Related posts

Rritet në 36.224 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

RTI

Krasniqi i reagon Lajçakut, e pyet pse BE-ja e ndryshoi qëndrimin për Urën e Ibrit

admin

Më shumë se 9 mijë pa’lestinezë mbahen në bu’rgjet iz’raelite

rezart morina