Delegacioni turk i kryesuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Fuat Oktay, ka zhvilluar një takim në selinë kryesore të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), raporton Anadolu.
Oktay dhe delegacioni turk u pritën në selinë kryesore të KFOR-it në Prishtinë nga gjeneralmajor Özkan Ulutaş, i cili nga muaji tetor mori komandën e KFOR-it për një mandat njëvjeçar.
Pas vizitës në KFOR, delegacioni ka vizituar edhe varrin e Sulltan Muratit, që ndodhet afër Prishtinës, ku Oktay përcolli lutje me delegacionin shoqërues dhe nënshkroi në librin e përkujtimit.
Delegacioni turk ka vizituar edhe Xhaminë Qendrore në qendër të Prishtinës, e cila është duke u ndërtuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Türkiyes (Diyanet), Fondacioni i Diyanetit të Türkiye-s dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ku u njoftua për ecurinë e ndërtimit.
Në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë, Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Madh Kombëtar të Türkiyes, i prirë nga Oktay dhe i shoqëruar edhe nga ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angili, u pritën më herët edhe nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës.
Në këtë takim të kryesuar nga kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, u theksuan raportet shumë miqësore ndërmjet të dyja vendeve dhe gatishmëria për thellimin e mëtejshëm të tyre.
Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Madh të Türkiyes gjatë ditës së nesërme do të takohet me përfaqësues të komunitetit turk të Kosovës në Komunën e Prizrenit dhe në Mamushë.