Gjykatësi libanez, Nawaf Salam, është zgjedhur presidenti i ri i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për një mandat 3-vjeçar, transmeton Anadolu.
Gjyqtarja nga Uganda, Julia Sebutinde, e cila votoi kundër të gjitha masave të kërkuara nga Afrika e Jugut në rastin e gjenocidit kundër Izraelit, u zgjodh nënkryetare për të njëjtin mandat.
GJND-ja, gjykata më e lartë e OKB-së, përbëhet nga 15 gjyqtarë të zgjedhur për një mandat 9-vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Gjykatësi Salam, i cili filloi me detyrë në GJND më 6 shkurt të vitit 2018, ishte ambasador i Libanit dhe përfaqësues i përhershëm në OKB përpara se t’i bashkohej gjykatës.
Nënkryetarja Sebutinde iu bashkua GJND-së më 6 shkurt të vitit 2012. Para kësaj, ajo shërbeu si gjyqtare në Gjykatën Speciale për Sierra Leona.
Sebutinde tërhoqi vëmendjen pasi votoi kundër të gjitha masave të përkohshme të urdhëruara nga GJND-ja më 26 janar në rastin e gjenocidit kundër Izraelit.