RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Greqia pretendon se Maqedonia e Veriut e ka shkelur marrëveshjen historike për emrin

greqia-pretendon-se-maqedonia-e-veriut-e-ka-shkelur-marreveshjen-historike-per-emrin

Greqia akuzoi të hënën qeverinë e re të qendrës së djathtë të Maqedonisë së Veriut për thyerjen e marrëveshjes historike për emrin e vendit, duke paralajmëruar se kjo mund të dëmtojë shpresat e saj për t’u bashkuar një ditë me Bashkimin Evropian.

Athina zyrtare ka reaguar një ditë pasi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski përdori vazhdimisht emrin e vjetër, Maqedoni, duke thënë se ai e konsideronte emrin e ri të vendit të tij, sipas marrëveshjes, “të turpshëm”, raporton AP.

Marrëveshja e vitit 2018 me Greqinë, e cila pretendon Maqedoninë si emrin e një prej rajoneve të saj, u nënshkrua nga qeveria e qendrës së majtë që Mickoski e mposhti në zgjedhjet e 8 majit. Ajo i dha fund një grindjeje dekadash mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore, dhe përcaktoi që vendi do të miratonte zyrtarisht emrin e ri, Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja ia mundësoi Maqedonisë së Veriut që më vonë të anëtarësohej në NATO.

Duke folur në Parlament të dielën, përpara një votimi për të miratuar qeverinë e tij të re, Mickoski përdori vazhdimisht emrin e vjetër, Maqedoni. Por pak më vonë në betimin e tij zyrtar, ai përdori emrin e plotë zyrtar të vendit.

“(Unë) do të duhet të kapitulloj para jush dhe ta them atë mbiemër të turpshëm, sepse është, për fat të keq, pjesë e ligjit dhe Kushtetutës që duhet ta respektoj si kryetar i qeverisë”, u ka thënë Mickoski deputetëve.

Si një anëtare e BE-së, Greqia mund të pengojë pranimin e fqinjit të saj, gjë që një tjetër fqinj dhe anëtar i ballkanik i bllokut, Bullgaria, po e bën tashmë për një mosmarrëveshje të veçantë me Maqedoninë e Veriut në lidhje me çështjet e pakicave.

Të hënën, ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka thënë se pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ishte “i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm” pa respektimin “e plotë dhe të pakushtëzuar” të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen e emrit me Greqinë.

Gerapetritis ka thënë se lidershipi i ri i Maqedonisë së Veriut “ka vendosur, sistematikisht dhe me këmbëngulje, të mos e përdorë (emrin Maqedonia e Veriut) brenda vendit në diskursin publik”.

“Kjo është një shkelje e qartë që kërkon përdorimin e emrit Maqedonia e Veriut si brenda dhe jashtë vendit”, ka deklaruar ai.

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, e zgjedhur gjithashtu në maj dhe e mbështetur nga partia VMRO-DPMNE e Mickoskit, ngacmoi zyrtarët grekë dhe të BE-së muajin e kaluar duke e quajtur vendin e saj Maqedoni, gjatë betimit të saj për detyrën.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më vonë insistoi se ajo kishte “të drejtë njerëzore” t’i referohej vendit ashtu siç dëshironte.

Related posts

Francë, vazhdojnë protestat kundër dhunës së policisë

rezart morina

Izraeli tërheq të dërguarit në Irlandë dhe Norvegji

admin

Kriza humanitare në Gaza, Izraeli do të hapë rrugë të reja për ndihma

admin