Anëtari i Kryesisë së PDK-së, njëherit edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës dhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hoxhaj ka thënë se kryeministri Kurti në këto tri vite të qeverisjes ka luftuar komplet në vijë të kundërt të trendëve ndërkombëtare dhe ndryshimeve gjeopolitike, duke e përdorur veriun e Kosovës si platformë për ta konsoliduar pushtetin e tij.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës shtoi se sot situata e veriut të vendit i shërben për të qenë në pushtet Albin Kurti në Prishtinë dhe Aleksandër Vuçiqit në Serbi.
Hoxhaj theksoi se PDK-ja asnjëherë nuk e ka përdorur situatën në veri të vendit për popullizëm politik.
“Ne kemi vepruar në raport me veriun e Kosovës, duke shpërbërë struktura paralele, duke luftuar krimin dhe krimin e organizuar në veri të vendit duke bërë çdo gjë që ta përmbyllim shtet ndërtimin e Kosovës në veri të vendit, duke integruar komunitetin serb. Ne asnjëherë nuk e kemi përdorë situatën e veriut të Kosovës për popullizëm politik. Kjo se çfarë po ndodh në veri të vendit nuk është në përputhje me interesin nacional të shtetit të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Hoxhaj tha se draft-statuti është një autonomi e plotë politike, territoriale, religjioze që ka ardhur si pasojë e veprimeve në veri të vendit.
Ai tutje shtoi se autonomia e cila parashihet me Asociacionin me vetë menaxhimin që ka pranuar Kurti tregon se atë se çfarë ka ndodhur deri më tash nuk është në përputhje me interesin shtetëror të Kosovës. /Telegrafi/
The post Hoxhaj: Kurti e Vuçiqi po e përdorin veriun për të konsoliduar pushtetin – Asociacioni një autonomi politike e territoriale first appeared on Radio Televizioni Iliria.