Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Emir Abdullahiyan dhe homologu i tij kuvajtian, Salim Abdullah al-Jaber al-Sabah diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, Abdullahiyan pati një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, al-Sabah.
Duke e uruar kolegun e tij gjatë muajit të Ramazanit, Abdullahiyan kujtoi se kohët e fundit ka patur takime për çështjet e konsullatës, rojeve bregdetare dhe njësive ligjore në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ne jemi të gatshëm të mbajmë takim të përbashkët të komisionit të lartë midis Iranit dhe Kuvajtit”, tha ai.
Duke iu referuar hapave të ndërmarrë në fushën rajonale, Abdullahiyan tha se “Marrëdhëniet me Arabinë Saudite po përparojnë në rrjedhën e tyre normale. Së shpejti do të takohem me homologun tim saudit dhe aktivitetet e ambasadave do të rifillojnë”.
Ai tha se koordinimi i kërkuar për hapjen e konsullatës ndërmjet Iranit dhe Kuvajtit është domosdoshmëri për të forcuar bashkëpunimin dypalësh.
Më tej u theksua se ministri i Jashtëm i Kuvajtit ishte i kënaqur me marrëveshjen midis Iranit dhe Arabisë Saudite dhe theksoi vazhdimin e konsultimeve për përmirësimin e marrëdhënieve.