Kina i ka quajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxitës kryesorë të krizës në Ukrainë, shkroi të hënën Reuters.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, të publikuar të mërkurën, ambasadori i Kinës në Moskë, Zhang Hanhui, akuzoi Uashingtonin se po e nxit Rusinë me anë të mbështetjes për forcat që kërkojnë të lidhin Ukrainën me Bashkimin Evropian.
“Si nismëtari dhe nxitësi kryesor i krizës ukrainase, Uashingtoni, ndërkohë që vendos sanksione gjithëpërfshirëse të paprecedentë ndaj Rusisë, vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë dhe pajisje ushtarake”, citohet të ketë thënë Hanhui. “Qëllimi i tyre është të rraskapitin dhe shtypin Rusinë me një luftë të zgjatur dhe me sanksione”, shtoi ai.
Zhang u shpreh se marrëdhëniet kino-ruse kanë hyrë “në periudhën më të mirë në histori, e karakterizuar nga niveli më i lartë i besimit të ndërsjellë, shkalla më e lartë e ndërveprimit dhe rëndësia më e madhe strategjike”.
Ai kritikoi vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi javën e kaluar në Tajvan, të cilin Kina e pretendon si të sajën, dhe tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të aplikonin të njëjtat taktika në Ukrainë dhe Tajvan për të “ringjallur mentalitet të Luftës së Ftohtë”. /koha