RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kryeministri Kurti: Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik

kryeministri-kurti:-kosova-te-turqia-shikon-nje-shtet-aleat-dhe-nje-popull-mik

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, në shënim të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu konsideratat e popullit të Kosovës ndaj vendit dhe popullit turk.

Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane në të tashmen, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij. Ai shtoi se edhe për të ardhmen, populli i Kosovës dhe ai i Turqisë ndajnë perspektivën e paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, të integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si edhe të zhvillimit ekonomik e social.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj presidentit Erdoğan për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO, si një veprim i denjë që do t’i shërbente sigurisë dhe paqes në Ballkan dhe në botë.

Turqia mbetet një partner strategjik i Kosovës dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar në vijimin dhe në zgjerimin e bashkëpunimeve ekonomike e kulturore dhe sociale mes dy vendeve, theksoi kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar shkëlqesia juaj ambasador Çağrı Sakar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit e ministra të Qeverisë,
Kryetarë të komunave,
Zyrtarë të shtetit të Kosovës, të nivelit qendror e lokal,Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,

Shkëlqesi ambasador, ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në përkujtimin e dëshmorëve të 15 Korrikut. Nata e 15-16 korrikut 2016 ishte një ngjarje e rëndë për Turqinë, por edhe një natë e ankthshme për demokracitë kudo në botë. Para syve tanë po tentohej që pushteti t’i rrëmbehej me forcën e armëve përfaqësuesve të zgjedhur të popullit turk. Populli u ngrit në mbrojtje të demokracisë, miliona qytetarë mbushën sheshet, ata me trupat e tyre formuan barrikada kundrejt tankeve dhe në fund fituan. Gjithashtu, partitë parlamentare njëzëri e dënuan aventurën e grushtit të shtetit dhe qëndruan së bashku në mbrojtje të sovranitetit popullor dhe të parlamentarizmit. Demokracia turke e përballoi me sukses një sfidë të rëndë dhe para aktit vetëflijues të të rënëve dhe të të plagosurve përkulemi me respekt.

Shkëlqesi ambasador i Republikës së Turqisë, më lejoni që me këtë rast të shpreh konsideratat e popullit të Kosovës ndaj vendit dhe popullit tuaj. Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane në të tashmen. Edhe për të ardhmen, populli i Kosovës dhe ai i Turqisë ndajnë perspektivën e paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, të integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si edhe të zhvillimit ekonomik e social. Roli i Turqisë si një shtet demokratik dhe anëtar i NATO-s është tejet i rëndësishëm në rajonet e Ballkanit, të Detit të Zi, Evropës Lindore dhe të Lindjes së Mesme, në këtë kohë kur po cenohet seriozisht paqja e botës dhe rendi ndërkombëtar. Turqia dhe Kosova kanë mbajtur qëndrime të njëjta për sa i përket mbrojtjes së lirisë dhe sovranitetit të Ukrainës, e kanë dënuar agresionin ndaj këtij shteti dhe kanë marrë masa për t’i ardhur në ndihmë popullit të Ukrainës.

Në këtë kuadër, ne i jemi mirënjohës presidentit Erdoğan për mbështetjen që i ka dhënë anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO, si një veprim i denjë që do t’i shërbente sigurisë dhe paqes në Ballkan dhe në botë. Turqia i vlerëson siç duhet kërcënimet ndaj sigurisë në rajonit tonë dhe është mbështetëse e zgjerimit të NATO-s dhe të ndikimit të aleancës veriatlantike në Ballkanin Perëndimor. Turqia mbetet një partner strategjik i Kosovës dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar në vijimin dhe në zgjerimin e bashkëpunimeve ekonomike e kulturore dhe sociale mes dy vendeve.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë shumë të mira dhe u jam mirënjohës juve shkëlqesi ambasador për ndihmesën personale që keni dhënë në këtë drejtim.

Ju falemnderit.
Teşekkür ederim.

Related posts

Kurti: Pajtimi publik është arritur, por pala tjetër po i ikë nënshkrimit

admin

Irani dhe Arabia Saudite pajtohen për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas ndërprerjes 7-vjeçare

rezart morina

Të paktën 20 të vrarë në Ukrainë, sulmohet edhe spitali i fëmijëve në Kiev

RTI