RTV AHIRETI
Agjërimi

KURBANI – DISPOZITA DHE RREGULLA

kurbani-–-dispozita-dhe-rregulla
  1. Kurban (el ud’hije – në gjuhën arabe) është emri i kafshës (deve, lopë, dele, dhi etj.), që theret në ditën e Bajramit dhe vijon edhe tri ditë të tjera që njihen si ditët e Teshrikut, në shenjë afrimi tek Allahu.

Është quajtur me emrin “el ud’hije” , sepse koha e therjes së kafshës fillon në mëngjes të ditës së Bajramit, në kohën e paradites.[1]

  1. Kurbani u bë i ligjshëm në vitin e dytë hixhri dhe është nga ritet e Islamit i ligjëruar me Kuran dhe Sunet të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe me pajtueshmëri të myslimanëve.

Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban.” (El Keuther: 2).

Dhe Allahu thotë: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata ta përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim…” (El Haxh: 34)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e vërtetoi me fjalë dhe me vepër, dhe myslimanët e vazhduan këtë rrugë.

  1. Vlera e kurbanit është e madhe, por nuk ka ardhur ndonjë argument i saktë që e përcakton shpërblimin e tij.

Ibën el-Arabij el-Malikij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Njerëzit rreth kurbanit dhe shpërblimit të tij transmetojnë mrekulli që nuk janë të vërteta.”[2]

Andaj ata që nëpërmjet rrjeteve sociale dhe faqeve të internetit postojnë hadithe profetike duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë postojnë dhe shpërndajnë aty.

  1. Kurbani te shumica e dijetarëve është sunet i fortë dhe disa dijetarë të tjerë mendojnë se kurbani është i detyrueshëm për atë që ka mundësi, ky është medh’hebi i Ebu Hanifes dhe përcillet si një nga dy mendimet e imam Malikut dhe Ahmedit, dhe këtij mendimi i takon Ibën Tejmije, Allahu i mëshiroftë. Prandaj, besimtari që ka mundësi për të therur kurban, nuk duhet ta anashkalojë këtë.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që ka mundësi dhe nuk ther kurban, mos t’i afrohet faltores në ditën e Bajramit.”[3]

  1. Kurbani është i ligjshëm për të gjithë njerëzit, mashkull dhe femër, vendas dhe udhëtar, banor i fshatrave apo i qyteteve, që jetojnë në toka myslimane apo toka të tjera, përveç për atë që është në haxh, sipas imam Malikut, i cili thotë se haxhiu bën kurban haxhi (lloj i këtij haxhi). Të këtij mendimi janë edhe Ibën Tejmije, nxënësi i tij Ibën Kajimi, dhe nga dijetarët bashkëkohorë Ibën Uthejmini, Allahu i mëshiroftë.
  2. 6. Ai që nuk posedon të holla të therë kurban nuk i ndalohet të marrë borxh, nëse shpreson ta kthejë borxhin, si për shembull punëtori nëse merr borxh për ta kthyer në fund të muajit kur ta marrë rrogën, apo kurbanin e blen me këste, kurse ai që nuk ka mundësi ta kthejë borxhin, më mirë është të mos marrë borxh, që të mos e ngarkojë veten me diçka që nuk e ka për detyrim.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Besimtari nëse merr borxh për kurban duke e ditur se ka mundësi ta lajë borxhin e tij, kjo është mirë, mirëpo nuk e ka për detyrim të veprojë ashtu.” [4]

  1. Nga sadakatë që preferohet të jepet është futja e gëzimit në zemrën e atij që nuk ka mundësi të therë kurban, duke i ndihmuar me të holla të blejë kurban apo duke ia dhuruar delen ta therë për kurban.

Ukbe ibën Amir përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u ndante shokëve të tij kurbane.[5]

Nga bujaria dhe mirësia është që kush ka më shumë se një kurban, të autorizojë një të varfër që ka familje, nga familjarët apo të afërmit apo nga fqinjët, ta therë njërin kurban në shtëpinë e tij që të fusë gëzim tek ai dhe familja e tij.

  1. Nga urtësitë e kurbanit është:

– Adhurimi i Allahut duke i zbatuar ligjet e Tij. Allahu thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (El Haxh: 37)

– Ringjallja e traditës së Ibrahimit, alejhi selam.

– Falënderimi i takon Allahut për begatitë e Tij të shumta që na i dhuroi dhe ndër to begatinë e kafshëve që theren për kurban. Allahu thotë: “…që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El Haxh: 28)

– Pjesëmarrja e atyre që nuk kanë shkuar në haxh në disa rite të haxhit me haxhilerët.

– Zemërgjerësia në shpirt për veten dhe për familjarët, fisnikërimi i fqinjëve, të afërmve dhe shokëve, dhe dhënia e sadakasë për të varfrit në ditën e Bajramit.

  1. Të therësh kurban është më mirë sesa të japësh sadaka në vlerën e tij, sepse therja e kurbanit është rit nga ritet e Allahut dhe sunet i fortë nga sunetet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

Ky është medh’hebi i katër imamëve.

Seid ibën el Musejib, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të theri dele kurban për mua është më e mirë sesa të jap sadaka njëqind dërhem.”[6]

Shtoja edhe faktin se therja për Allahun është rit dhe adhurim me qëllim të veçuar. Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban.” (El Keuther: 2); prandaj nëse njerëzit e zëvendësojnë therjen me dhënie sadaka në vlerë të kurbanit, atëherë riti i therjes do të humbet.

  1. Në esencë kurbani është i ligjshëm për të gjallët, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe shokët e tij, të cilët thernin kurban për veten dhe familjen.

Për të vdekurin kurbani është i ligjshëm, nëse ai e ka lënë vasiet apo nëse e bashkëngjisin me të gjallët në nijet, d.m.th. njeriu ther për vete dhe për familjen e tij dhe me një nijet i përfshin të gjallët dhe të vdekurit.

  1. Kurbani veçmas për të vdekurin si dhuratë lejohet. Dijetarët e fikut (jurispondencës islame) thonë se shpërblimet e kurbanit i shkojnë të vdekurit dhe i vdekuri përfiton nga kurbani, sikurse sadakaja që i shkon të vdekurit dhe përfiton nga ajo.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, si më të saktë e zgjedh mendimin se dhënia sadaka në vlerë të kurbanit është më e mirë për të vdekurin se therja kurban për të, ngase kurbani për të vdekurit te të parët tanë të mirë nuk ka qenë traditë e tyre.

  1. Kusht për t’u pranuar kurbani është që kafsha të jetë deve, lopë, dele apo dhi, me të gjitha llojet e saj, bazuar në fjalën e Allahut: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata ta përmendin Emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i Vetëm, prandaj vetëm Atij përuljuni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur.” (El Haxh: 34)
  2. Një dele është e vlefshme për një familje, pra nëse njëri nga familjarët e bën një dele kurban apo gruaja bën kurban dhe në të e përfshin burrin dhe fëmijët e saj, arrihet qëllimi i ritit dhe të gjithë përfshihen në shpërblimin e kurbanit.

Ebu Ejub el-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Burri për veten dhe për familjen e tij bënte një dele kurban, hanin nga mishi kurbanit dhe ua shpërndanin të tjerëve.”[7]

  1. Ai që bën kurban, nëse nuk i përfshin të tjerët nga familja në nijetin e tij, automatikisht vetvetiu përfshihen edhe ata në shpërblim, dhe anëtarë familjeje llogaritet çdonjëri që gjuhësisht apo tradicionalisht e përfshin kjo fjalë. Te njerëzit zakonisht familje llogariten ata që burri shpenzon për ta dhe i ushqen, si: gruaja, fëmija dhe i afërmi.
  2. Nëse në një shtëpi jetojnë më shumë vëllezër me fëmijët e tyre, dhe bashkërisht ushqehen dhe hanë, edhe një kurban është i vlefshëm për ta. E nëse çdonjëri nga ta posedon shtëpi në vete, atëherë e ligjshme është që çdo familje të therë kurban veçmas për ta.
  3. Ai që është i martuar me më shumë se një grua, i mjafton të bëjë një kurban për të gjitha gratë, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili për të gjitha gratë e tij e theri një kurban, mirëpo duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e veçojë njërën nga gratë me diçka më tepër nga kurbani dhe duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë me to.
  4. Një deve është e vlefshme për shtatë veta dhe një lopë është e vlefshme për shtatë veta, bazuar në fjalën e Xhabir ibën Abdullahut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha: “Me Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në vitin e Hudejbijes e therëm një deve për shtatë veta dhe një lopë për shtatë veta.”[8]
  5. Lejohet pjesëmarrja në një kurban, qoftë lopë apo deve, edhe nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit nuk dëshiron të bëjë kurban, por qëllimi i tij është të marrë pjesë për ndonjë zotim që e ka bërë, apo të marrë nga mishi për ta gostitur mysafirin, apo për ta shpërndarë mishin për lëmoshë, etj.. Çdonjëri shpërblehet sipas nijetit të tij.
  6. Lejohet pjesëmarrja në kurban lopë apo deve edhe nëse janë më pak se shtatë veta, sepse nëse lejohet pjesëmarrja e shtatë vetave në të, atëherë në rend të parë lejohet të marrin pjesë edhe më pak se shtatë veta, dhe pjesa e mbetur apo teprica u llogaritet vullnetare.
  7. Nuk lejohet më shumë se një njeri të marrë pjesë në një dele, për shkak se nuk ka ardhur argument për një gjë të tillë, sikurse nuk lejohet që tetë e më shumë veta të marrin pjesë në një deve apo lopë, sepse adhurimet janë statike dhe nuk lejohet tejkalimi i një adhurimi të përcaktuar, qoftë në sasi apo formë.
  8. Lloji më i mirë i kafshës për kurban sipas disa dijetarëve është therja e dashit, sepse ashtu veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndërsa shumica e dijetarëve thonë: “Kafsha më e mirë për kurban është deveja, pastaj lopa nëse theret e tëra, pastaj delja, e më pas dhia.

Argumenti i tyre është fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kushdo që lahet ditën e xhuma sikurse lahet prej xhunubllëkut dhe pastaj shkon për namaz në orët e para, sikur ta ketë bërë kurban një deve, kush shkon në orën e dytë sikur ta ketë bërë kurban një lopë, kush shkon në orën e tretë sikur ta ketë bërë kurban një dash me brirë …”[9]

Pra, në hadith përparësi i jepet devesë, e pastaj në shkallë të dytë lopës dhe pastaj dashit.

  1. Kurbani më i mirë është ai më i trashi, që ka më shumë mish, më i plotë në trup dhe më i bukur në pamje.

Ebu Umame ibën Sehl tha: “Në Medine kurbanit i jepnim të hajë dhe të trashet, dhe po ashtu myslimanët e tjerë që blinin kurbanin, e trashnin për ta therur në Bajram.”[10]

Enes ibën Malik përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kurban i theri dy desh të majmë, me ngjyrë të bardhë dhe pulla të zeza dhe me brirë të mëdhenj.[11]

  1. Kurbani patjetër duhet ta arrijë moshën e përcaktuar sheriatikisht, bazuar në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Mos të therni për kurban veçse ‘musine’ e nëse nuk kemi mundësi të therni ‘musine’, atëherë therni ‘xhedhea’ prej deleve.”[12]

‘Musine’ është kafsha ‘thenije’ e më e madhe, kurse ‘xhedhea’ më e vogël.

‘Thenije’ prej deveve është ajo që i ka mbushur pesë vjet dhe ka hyrë për të gjashtën.

‘Thenije’ prej lopëve është ajo, që i ka mbushur dy vjet dhe ka hyrë për të tretën.

‘Thenije’ prej dhive është ajo, që i ka mbushur një vit dhe ka hyrë për të dytin.

‘Xhedhea’ prej deleve është, ajo që i ka gjashtë muaj dhe ka hyrë për të shtatin..

Pra, është detyrim i patjetërsueshëm të respektohet mosha e kurbanit e përcaktuar sheriatikisht. Nuk lejohet të kundërshtohet rregulli dhe kurbani të theret nën moshën e përcaktuar, ndërsa lejohet nëse është mbi atë moshë.

  1. Kurbani patjetër duhet të jetë pronë e atij që e bën kurban, qoftë atë e ka blerë apo i është dhuruar apo e ka trashëguar apo vetë e ka rritur, dhe të ngjashme me to.

Pranohet dhe lejohet që përgjegjësi i jetimit të bëjë kurban për jetimin nga pasuria e jetimit, nëse jetimi i ka mundësitë dhe ka pasuri të veten dhe kjo e gëzon dhe e kundërta e lëndon dhe ia thyen zemrën.

Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kur përgjegjësi i jetimit bën kurban për jetimin, nuk lejohet të japë sadaka me diçka nga kurbani, po atë e mban për jetimin, ngase nuk lejohet që vullnetarisht të jepet diçka sadaka nga pasuria e jetimit.”[13]

  1. Kusht për t’u pranuar kurbani është të theret në kohën e vet të përcaktuar sheriatikisht.

Koha e therjes së kafshës fillon pas faljes së namazit të Bajramit bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Gjëja e parë që fillojmë me të në ditën e Bajramit është falja e namazit, më pas kthehemi në shtëpi dhe e therim kurbanin, dhe ai që vepron kështu vetëm se ia ka qëlluar sunetit.”[14]

  1. Kush e ther kurbanin e tij para se të falet namazi Bajramit, kurbani i tij nuk është i vlefshëm, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kush e ther kurbanin para se të falet namazi Bajramit, ai thjesht është mish që ia shtron familjes së tij, dhe nuk ka të bëje asgjë me ritin e kurbanit.”[15]
  2. Koha e therjes së kurbanit përfundon me perëndimin e diellit të ditës së tretë të Teshrikut (dita e katërt e Bajramit), d.m.th. që ditët e therjes janë katër, dita e Bajramit dhe tri ditë pas saj.
  3. Koha më e mirë për ta therur kurbanin është dita e parë, pra dita e Bajramit, pasi të falet namazi i Bajramit, dhe çdo ditë që vjen pas Bajramit është më e mirë sesa tjetra që vjen pas saj, për shkak se nxitohet në bërjen e veprës së mirë. Ajo më e sakta është që therja të mos vonohet deri në ditën e katërt, duke e marrë parasysh mendimin e një grupi të dijetarëve që thonë se ditët e therjes janë tri dhe jo katër ditë.
  4. Lejohet therja e kurbanit gjatë ditës dhe natës, por më mirë është të theret gjatë ditës, ngase është rit i dukshëm, që ta shohin të varfrit (që t’u jepet nga mishi tij).
  5. Nëse koha e therjes kalon dhe kurbani nuk është therur, nuk detyrohet kompensim, nëse ka qenë për qëllim të bëhet kurban vullnetarisht.

Nëse kurbani ka qenë zotim, atëherë detyrohet kompensimi, dhe me të veprohet ashtu si veprohet me kurbanin.

  1. Prej kushteve të kurbanit është të jetë pa të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban, sepse kurbani është vepër që e afron robin tek Allahu, dhe Allahu është i Bukur dhe i Mirë dhe nuk e pranon përveçse të bukurën dhe të mirën, andaj edhe kurbani duhet të jetë i mirë dhe pa të meta.
  2. Në hadithet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, janë përcaktuar katër të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban.

El Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell dhe thotë: “Ishim me Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe ndërkohë u ngrit dhe tha: “Nuk lejohet për kurban kafsha qorr, që është qorre e qartë, çalamanja me çalim të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë dhe e dobëta, e cila nuk ka fare dhjamë në të .”[16]

  1. Me sëmundje të qartë për qëllim është ajo sëmundje që e prek kafshën dhe simptomat i ka të qarta, si: temperatura e cila e pengon të ngritet të kullotë dhe ia humb oreksin, dhe zgjeba e qartë që ia prish mishin apo ndikon në cilësinë e mishit, si dhe plaga e thellë që ndikon në shëndetin e saj, dhe të ngjashme me to.

Kurse sëmundja e lehtë nuk është pengesë, si dhe çalimi i lehtë dhe dobësimi i lehtë dhe jo i tepërt.

  1. Këtyre katër të metave u shtohen edhe të meta të tjera që janë të ngjashme me to apo edhe më të rënda se to, kështu që për kurban nuk lejohet kafsha:

– E verbër, sepse ajo është më keq se qorrja, e cila duket qartë që syrin e ka qorr.

– Ajo, e cila është pranë ngordhjes dhe ende s’ka ndërruar jetë, sepse gjendja e saj është më e rëndë se ajo me sëmundje të qartë dhe që çalon qartë.

– Ajo, e cila njërën dorë apo këmbë e ka të prerë, sepse e meta e saj është më e rëndë, sesa ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë.

  1. Veshi, briri dhe bishti i kafshës nëse janë të humbura që nga lindja, kafsha është e vlefshme për kurban, kurse nëse i janë prerë më vonë atëherë kafsha është e vlefshme për kurban mirëpo urrehet të bëhet kurban, përveç deles që i ka mbushur gjashtë muaj dhe i është prerë bishti nuk lejohet të theret, sepse kjo është mangësi e qartë në një pjesë që synohet të përfitohet nga ajo.
  2. Urrehet të bëhet kurban kafsha që i është copëtuar veshi, apo që i është çarë veshi horizontalisht apo vertikalisht, apo që i kanë rënë dhëmbët, apo që i është thyer briri.
  3. Kafsha e tredhur apo me herdhe të kastruara është e vlefshme për kurban. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kurban theri dy desh të kastruar, dhe po ashtu mishi i kurbanit të kastruar bëhet më i mirë sesa mishi i kurbanit që nuk është i kastruar. Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk di që ka mospajtim mes dijetarëve në këtë pikë.”[17]

Njëkohësisht Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kurban theri që nuk ishte i tredhur. Autorët e Suneneve shënojnë nga Ebu Seidi i cili thotë: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e theri një dash me brirë dhe i patredhur, me ngjyrë të zezë rreth syrit, te goja dhe te këmbët.”[18]

  1. Kurbani përcaktohet me një nga dy mënyrat: me fjalë, duke thënë ‘ky është kurban’, apo me blerjen e kafshës me nijet për ta bërë kurban.
  2. Pasi të caktohet kurbani ndërlidhen një numër rregullash dhe ndër to:

Ai që e ka përcaktuar kurbanin nuk lejohet që ta transferojë pronësinë te tjetri, me shitje apo dhuratë apo të ngjashme me to, sepse ajo tanimë i ngjan kafshës për zotim, e cila i është premtuar Allahut, përveç nëse e zëvendëson me një kafshë më të mirë se ajo, apo e shet për ta blerë një më të mirë se ajo.

Nëse kafshën e godet një e metë që e ndalon vlefshmërinë dhe faji është i atij që bën kurban, ai detyrohet ta zëvendësojë me kafshë tjetër të shëndoshë si ka qenë e para më herët, përveç, nëse kafshën e godet një e metë, pa dashje dhe pa ndonjë dhunë apo sulm prej atij që bën kurban, në këtë rast lejohet therja e saj dhe kurbani është i vlefshëm.

Nëse humbet apo e vjedhin dhe kjo ndodh nga shkujdesja dhe faji i tij, detyrohet ta zëvendësojë me tjetër si ajo, a nëse ndodh pa dashje dhe pa ndonjë shkak prej tij, atëherë nuk detyrohet të veprojë gjë.

Nëse kafsha pjell pasi është përcaktuar për kurban, gjykimi për fëmijën e saj është i njëjtë me atë të nënës, dhe theret së bashku me të.

  1. Kush bën nijet për kurban e më pas e prish nijetin e tij, nuk detyrohet të bëjë gjë, përveçse nëse e ka caktuar kurbanin e tij (duke e veçuar apo blerë atë kafshë), në këtë rast detyrohet ta therë kurbanin dhe nuk ka kthim, sepse me caktimin e kafshës ajo më ka dalë nga pronësia e tij.
  2. Kurbanin pëlqehet ta therë vetë ai që dëshiron të bëjë kurban, nëse di si ta therë, ngase therja është adhurim dhe afrim për tek Allahu, prandaj pëlqehet që vetë ta veprojë. Po ashtu Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vetë therte kurban dhe është nga veprimet e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, kurse ne Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

Nëse ai nuk e njeh therjen, ia jep dikujt tjetër që di ta therë për të.

  1. Lejohet zëvendësimi në therjen e kurbanit. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në haxhin e lamtumirës me dorën e tij theri gjashtëdhjetë e tri deve dhe më pas e ngarkoi Alij ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, që t’i therë të tjerat që kishin mbetur.
  2. Për zëvendësim më e mira është që ta zgjedhë të devotshmin dhe të mirin që e njeh therjen dhe dispozitat e saj.

Imam el Karafij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për t’ua therur njerëzve kurbanin e zgjedhin atë që ka fe.”[19] Më e mira për myslimanin është të mos e angazhojë dikë nga ithtarët e librit që ta therë kurbanin e tij.

  1. Ai që bën kurban nuk duhet të heqë apo të shkurtojë diçka nga flokët, thonjtë apo qimet e trupit të tij, prej kur fillon nata e parë e Dhulhixhes e deri sa ta therë kurbanin.

Kjo duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur të hyjnë dhjetë ditët e Dhulhixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron të bëjë kurban nuk i lejohet të prekë (të heqë) asgjë nga flokët dhe lëkura e tij.”

Në një transmetim tjetër: “Të mos marrë diçka nga flokët dhe nga thonjtë e tij deri ta therë kurbanin.”[20]

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Me ndalesën për të hequr (prerë) thonjtë dhe qimet nënkuptohet prerja apo thyerja e thonjve dhe të ngjashme me to, dhe rruajtja ose shkurtimi apo shkulja ose djegia apo heqja e qimeve me ‘neura’[21] apo të ngjashme me to.

Kjo vlen për të gjitha qimet e trupit, nën sqetulla, mustaqe, vendet intime, në kokë dhe çdo qime tjetër nga qimet e trupit.”[22]

Ndalohet heqja apo prerja e thonjve dhe qimeve para namazit të Bajramit, edhe nëse për qëllim e ka zbukurimin për namaz, ndërsa nëse therjen e vonon dhe kurbanin nuk e ther në ditën e parë, është i detyruar të mos marrë asgjë nga qimet dhe thonjtë derisa ta therë kafshën.

  1. Ky gjykim është i veçantë për atë që bën kurban, ndërsa anëtarët e familjes së tij nuk përfshihen në këtë ndalesë, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, bënte kurban në emër të familjes dhe nuk është përcjellë ndonjë hadith t’i ketë urdhëruar anëtarët e familjes të mos i prekin qimet dhe thonjtë.

Bazuar në këtë, familja e atij që bën kurban lejohet që gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes t’i heqë apo t’i shkurtojë flokët, thonjtë dhe qimet e trupit.

  1. Ndalesa është e veçantë për atë që bën kurban, ashtu si aludoi hadithi, e nëse ia ka lënë vasiet apo e ka lënë si zëvendës dikë tjetër për ta therur kafshën, ky i fundit nuk përfshihet në ndalesën e prerjes dhe heqjes së qimeve dhe thonjve. Kurse ajo që e bëjnë disa gra, të cilat vëllanë apo birin e autorizojnë në vend të tyre me qëllim që t’i ikin heqjes së qimeve apo prerjes së flokëve gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes, kjo nuk është e saktë, sepse gjykimi ndërlidhet me atë që bën kurban, pavarësisht e autorizoi dikë tjetër apo jo.
  2. Ai që bën kurban nëse merr diçka nga flokët, thonjtë apo qimet e trupit, nuk ka shpagim që bie mbi të, dhe kjo nuk e ndalon ta therë kurbanin dhe nuk ia humb vlefshmërinë kurbanit, ashtu si mendojnë disa, dhe duhet të bëjë istigfar (të kërkojë falje nga Allahu).
  3. Nëse patjetër e ka të marrë diçka nga flokët, thonjtë apo qimet e trupit, i lejohet ta bëjë një gjë të tillë dhe nuk ka mëkat e as shpagim që bie mbi të. Si p.sh. thoi thyhet dhe kjo i jep dhembje, mundet ta shkurtojë, apo i bien qimet e flokëve deri në sy dhe i pengojnë, mundet t’i shkurtojë, apo ka nevojë t’i shkurtojë qimet në ndonjë pjesë të trupit për ta kuruar plagën, mundet t’i shkurtojë, dhe raste të ngjashme me to.

Krehja e flokëve lejohet, edhe pse bien disa qime pa dashje.

  1. Nga etika e therjes është që kafsha për kurban të çohet në mënyrën më të mirë deri në vendin e therjes dhe të mos keqtrajtohet. Muhamed ibën Sirin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e pa një burrë se si e tërhiqte delen për këmbe dhe atij i tha: “Mjerë për ty! Çoje për ta therur në mënyrën më të mirë.”[23]
  2. Thika duhet mprehur para therjes, sepse kërkohet kafshës t’i lehtësohen vuajtjet. Kjo është nga bamirësia që e përmendi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në hadith: “Allahu e caktoi bamirësinë në çdo gjë, kur ta mbytni (p.sh. armikun) mbyteni në mënyrën më të mirë, dhe kur ta therni kafshën, thereni në mënyrën më të mirë. Mprihni mirë thikat tuaja, që t’ia lehtësoni vuajtjet kafshës suaj.”[24]

Thika nuk mprehet para kafshës; që do të theret dhe kafsha nuk theret para syve të kafshës tjetër, sepse kjo gjë e mohon bamirësinë që jemi të urdhëruar ta zbatojmë.

Pëlqehet gjatë therjes që delja dhe lopa të shtrihen dhe të mos theren në këmbë apo të rëna në gjunjë, sepse kjo për to është më e mëshirshme.

Kafsha shtrihet kah ana e majtë e saj, sepse për therje është më lehtë dhe kapet thika me dorën e djathtë dhe kapet koka e kafshës me dorën e majtë.

Kush gjen vështirësi në therje dhe më i mirë është në përdorimin e së majtës se të djathtës, atëherë kafshën e shtrin në anën e djathtë dhe e drejton kah Kibla dhe e ther me dorën e majtë, sepse ai është më i shkathët me të majtën dhe është më mirë për therje.

Kurse deveja, prej sunetit është të theret në këmbë duke qëndruar në tri këmbët e saj dhe me këmbën e majtë të lidhur dhe të ngritur lart.

  1. Ai që e ther kurbanin pëlqehet të drejtohet kah Kibla dhe njashtu ta drejtojë edhe kafshën kah Kibla dhe kjo është e pëlqyer të veprohet gjatë therjes së çdo kafsheje, porse te kafsha për kurban është edhe më e pëlqyer. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që ther kurban le ta vendosë kurbanin e tij në mes tij dhe Kiblës.”
  2. Kurbani është adhurim dhe adhurimi përcaktohet me nijet, bazuar në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Veprat shpërblehen sipas nijetit dhe çdonjëri shpërblehet sipas nijetit të tij.”[25]

Patjetër nijeti duhet të jetë prezent që ta dallojë veprën e cila është adhurim nga ajo e cila është traditë, dhe kështu duhet të jetë edhe te kurbani.

Me blerjen e kafshës për kurban apo me therjen e saj në kohën e vet të përcaktuar, mjafton të llogaritet kafsha se është therur për kurban, sepse nijeti është me zemër dhe veprat aludojnë në atë.

  1. Gjatë therjes e ligjshme është të shqiptohet bismilah, Allahu ekber dhe të bëhet duaja. Pra, thotë: “Bismilah, uAllahu ekber, Allahume in-ne hadha minke ue leke, Allahume tekabel mini”,[26] apo thotë: “Tekabelhu an filan”,[27] nëse kafsha theret për dikë tjetër jo për vete.

Nga kjo që u përmend më lart e detyrueshme është vetëm shqiptimi i fjalës ‘bismilah’, kurse ajo çfarë shtohet jashtë saj është e pëlqyer dhe jo e detyruar.

  1. Nuk lejohet shitja e mishit të kurbanit, e as shitja e lëkurës, leshit dhe qimeve të kurbanit, sepse ajo që del apo jepet nga robi për Allahun, nuk lejohet më të kthehet asnjëherë, dhe shitja e disa pjesëve të saj llogaritet një lloj i kthimit të saj.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Subhanallah (i lartësuar qoftë Allahu)! Si e shet kur e ka dhuruar për Allahun e Madhëruar?!”.

56.Kurse shfrytëzimi i lëkurës së kurbanit lejohet në çfarëdo lloj forme qoftë ajo, apo mundet të jepet në shoqata bamirëse, të cilat e marrin përgjegjësinë për ta shitur dhe pastaj të hollat e tubuara t’i japin sadaka.

  1. Nuk lejohet t’i jepet kasapit asgjë nga kurbani si kompensim për therjen dhe rrjepjen e lëkurës së kurbanit.

Kjo duke u bazuar në hadithin që e përcjell Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe thotë: “Më urdhëroi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të përkujdesem për një deve dhe të jap sadaka nga mishi, lëkura dhe çdo gjë tjetër të saj, por të mos i jap kasapit asgjë nga ajo, dhe më tha: “Kasapin ne e paguajmë vetë.”[28]

Kurbani është nxjerrë për Allahun, nëse jepet një pjesë e saj si pagesë për kasapin atëherë i përngjason shitjes. Kjo është një lloj kthimi i disa pjesëve të saj, andaj nuk lejohet.

  1. Nëse kasapi është i varfër apo janë shokë, nuk është problem nëse i jepet nga mishi i kurbanit si sadaka apo në formë dhurate, nëse paraprakisht nuk ka pasur ndonjë kusht që t’i jepet diçka nga mishi si kompensim për punën. Për sa i përket sadakasë dhe dhuratës kasapi është sikurse të tjerët, madje ai është më meritor, sepse vetë e ka therur dhe dëshira është e madhe tek ai për të ngrënë nga mishi kurbanit.
  2. E ligjshme është për atë që bën kurban të hajë nga mishi kurbanit të tij, një pjesë ta japë dhuratë dhe një pjesë ta japë sadaka, bazuar në fjalën e Allahut: “Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”. (El-Haxh: 28.), dhe po ashtu në fjalën e Allahut: “… hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.” (El-Haxh: 36)

Seleme ibën el-Ekva’a përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Hani prej mishit të kurbanit, shpërndajuani edhe të tjerëve dhe ruani prej tij.” [29]

  1. Dijetarët në mes vete kanë disa mendime se sa duhet të jetë sasia e asaj që hahet, dhurohet dhe jepet sadaka?! Kjo çështje është e gjerë dhe ka hapësirë për të vepruar, ndërsa ajo më e mira është që ta hajë një të tretën, një të tretën ta japë dhuratë dhe një të tretën e fundit ta japë sadaka. Ky mendim përcillet prej Ibën Mesudit dhe Ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Ebu Xhafer en-Nehas thotë: “Shumica e dijetarëve, ndër ta Ibën Mesudi, Ibën Omeri, Ataja, Theuriju, e pëlqejnë që një e treta të jepet sadaka, një e treta të ushqehen të tjerët  dhe një e treta të hajë ai që bën kurban dhe familja e tij.”[30]

Nëse për vete ha më shumë se një të tretën lejohet dhe nuk është problem.

  1. Atij që i besohet therja e kurbanit, ka të drejtë të hajë, të shpërndajë dhe të japë sadaka nga mishi i kurbanit nëse paraprakisht i ka dhënë leje, me fjalë apo sipas traditës, ai që ia ka besuar therjen e kurbanit në vend të tij, e nëse nuk i ka dhënë leje, atëherë mishin ia dorëzon atij që e autorizoi ta therë kurbanin në vend të tij.
  2. Duhet të jepet diçka nga mishi kurbanit sadaka, qoftë pak apo shumë, për të varfrit dhe nevojtarët myslimanë. Argument i detyrimit është fjala e Allahut: “Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El-Haxh: 28)
  3. Lejohet që ‘ehlu dhime’[31] të ushqehen nga mishi kurbanit, në veçanti nëse janë të varfër apo fqinjë të atij që ka bërë kurban, apo janë nga të afërmit e tij, apo i ushqen për t’jua zbutur dhe përfituar zemrat, bazuar në fjalën e Allahut: “Allahu nuk ua ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (El-Mumtehine: 8)
  4. Është vërtetuar në hadithe të sakta se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një vit prej viteve ndaloi që të deponohet mishi kurbanit, e pastaj në vitin tjetër e lejoi deponimin dhe ruajtjen e mishit të kurbanit, d.m.th. që ndalesa e ruajtjes dhe e deponimit të mishit të kurbanit është anuluar dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Seleme ibën el-Ekva’a përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kush nga ju ther kurban, pas ditës së tretë (të Bajramit) nuk duhet t’i mbetet asgjë nga mishi kurbanit.” – Vitin e ardhshëm i thanë: O i Dërguar i Allahut! A të veprojmë ashtu si vepruam vitin e kaluar? – Tha: “Hani prej mishit të kurbanit, shpërndajuani edhe të tjerëve dhe ruani prej tij. Vitin e kaluar njerëzit ishin në vështirësi dhe dëshirova që t’ju ndihmoni nevojtarëve.” [32]

  1. Në esencë kurbani duhet të theret në vendbanimin e atij që bën kurban dhe të shpërndahet aty, mirëpo lejohet therja dhe shpërndarja e saj edhe jashtë vendit për ndonjë nevojë apo dobi të konsiderueshme, si p.sh. numri i kurbaneve të jetë shumë ndërsa të varfrit në numër të jenë pak, apo myslimanët e ndonjë vendi tjetër të jenë më nevojtarë dhe më zortli për to.
  2. Ai që dëshiron të bëjë kurban dhe është larg familjes dhe vendbanimit të tij, i lejohet ta autorizojë dikë tjetër ta blejë kafshën për kurban në vendlindjen e tij dhe mishi t’u shpërndahet të afërmve dhe banorëve nevojtarë të atij vendi.
  3. Kurbani nuk është i vlefshëm në vend të akikës, sepse çdonjëri prej tyre, edhe kurbani edhe akika, synohen veç e veç dhe dallojnë në mes vete në shkakun e therjes, andaj nuk mund të jetë i vlefshëm njëri në vend të tjetrit.

Allahu e di më së miri.

 

E lus Allahun t’i pranojë veprat tona dhe të të gjithë myslimanëve të tjerë.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

 

[1] Pasi të falet namazi i Bajramit dhe nuk lejohet të theret para se të falet namazi i Bajramit, e nëse theret para se të falet namazi i Bajramit atëherë nuk llogaritet mish i kurbanit, por mish i rëndomtë. (sh.p.)

[2] Arida el-Ehvedhij (6/228)

[3] Ibën Maxhe (3123) e shënon si hadith merfu (zinxhiri arrin deri te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të), kurse Bejhakiu dhe Ibën Haxheri, thonë se hadithi më e besueshme që është meukuf (pra zinxhiri përfundon te Ebu Hurejra.)

[4] Mexhmual Fetava (26/305).

[5] Buhariu (5547), Muslimi (1965).

[6] Musanef Abdurrezak (4/388).

[7] Tirmidhiu (1505), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.

[8] Muslimi (1318).

[9] Buhariu (881), Muslimi (850).

[10] Buhariu e përmendi në Sahihin e tij Mualakan (7/100).

[11] Buhariu (5564), Muslimi (1966).

[12] Muslimi (1963).

[13] El-Mugni (9/448).

[14] Buhariu (968), Muslimi (1961).

[15] Buhariu (965), Muslimi (1961).

[16] Ebu Davudi (2802), Tirmidhiu (1497), dhe të tjerët, shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

[17] El-Mugni (3/472).

[18] Ebu Davudi (2796), Tirmidhiu (1496), dhe të tjerët, shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

[19] Edh-Dhehira (4/155).

[20] Muslimi (1977).

[21] Gur gëlqeror që përdoret për ti larguar qimet e trupit (sh.p.).

[22] Sherh Nevevij ala sahih Muslim (13/138).

[23] Musanef Abdurrezak (8605).

[24] Muslimi (1955)

[25] Buhariu (1), Muslimi (1907).

[26] Me emrin e Allahut, Allahu është më i madhi, O Allahu im kjo është nga Ti dhe për Ty, o Allahu im, pranoje këtë nga unë. (sh.p.).

[27] O Allahu im pranoje këtë për filanin. (sh.p.).

[28] Buhariu (1716), Muslimi (1317).

[29] Buhariu (5569).

[30] En-Nasih ue el-Mensuh (fq. 563.)

[31]Ehlu Dhime janë jomyslimanët, që jetojnë në shtet islam dhe që janë të mbrojtur nga shteti islam, që e ruajnë besimin e tyre dhe janë të kënaqur me gjykimin e Islamit për ta dhe janë të detyruar që shtetit islam t’i paguajnë xhizje. (sh.p.)

[32] Buhariu (5569), Muslimi (1974).




Related posts

ÇDO I RI ËSHTË I AFTË TË REALIZOJË NDONJË PROJEKT

rezart morina

MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

admin

Tribunë Islame Qendra Levizja

admin