Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se Kosova insiston në zbatim të plotë e të përpiktë të marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe Ohër.
Kurti përmes një konference për media tha se takimi me emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është si vazhdim i takimit të 2 majit që u zhvillua në Bruksel, siç u shpreh ai “përgatitje e takimit që do të zhvillohet me ekipin negociator”.
“Insistimi ynë është ajo çfarë jemi dakorduar: zbatim i plotë, i përpiktë i secilit nen pa vonesa dhe pa kushte. Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarata se marrëveshjen nuk e pranon në përmbajtje por vetëm në koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Për neve këto janë të papranueshme dhe për neve ishte e rëndësishme që sot ta konfirmojmë më emisarin lajcak që marrëveshja është ajo me 11 nene nga 27 shkurti në Bruksel dhe me 12 pika aneksi i zbatimit në Ohër”, ka thënë Kurti.
Ai tutje tha se: “Tash jemi të interesuar që të bashkëpunojmë e ta shkruajmë bashk më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vet menaxhimit, siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar duke mos anashkaluar edhe nenin 10. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë implementim të plotë dhe më të shpejt. Bisedimet janë duke u zhvilluar. Pas Kosovës Lajçak do të shkoj edhe në Serbi dhe në javën e ardhshme besoj që do të kemi një takim”.
Ndryshe, sot emisari e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.