Kryetari i Nismës Socialdemokrate (NISMA), Fatmir Limaj, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka degraduar në dy vjetët e fundit. Sipas tij, fajtor për këtë është vet kryeministri Albin Kurti.
Limaj ka folur edhe për planin e prezantuar nga evropianët, të cilin e konsideron si humbje për Kosovën.
Thotë se me këtë rast, Serbia e fiton Asociacionin dhe nuk e njeh Kosovën si shtet. Limaj ka folur edhe për pozicionin që e ka Kosova dialog, për të cilin thotë se është në disavantazh.
Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i NISMA-s thotë se njohja reciproke është larguar nga kjo marrëveshje, teksa konsideron se dialogu ndër vite e ka pasur këtë synim.
“Ka degraduar dialogu për dy vjetët e fundit, nga bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen brenda. Kanë qenë tri principe: e para marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obliguar me njohje brenda. E dyta ka qenë një princip që nëse nuk merremi vesh për të gjitha, nuk jemi marrë vesh për asgjë dhe e treta njohja në fund. Të gjitha këto u zhduken dhe erdhëm në një situatë me një propozim (plani franko-gjerman), dhe kjo ka ardhur si rezultat i sjelljes së këtij njeriu (Kurtit)”, është shprehur Limaj.
Sipas tij, aktualisht Kosova është në një situatë ku 14 për qind e territorit të saj nuk ka ligjshmëri.
“Ato zhvillime e tensionime që ndodhën në veri të vendit, praktikisht jemi në një situatë ku ne sot 14 për qind e territorit të Kosovës nuk ka ligjshmëri. Një pjesë e madhe e territorit, sot është e paqeverisshme, nuk ka institucione të Kosovës. Bota po thotë se është problem sigurie. Për t’u rikthyer serbët në institucione, duhet të plotësohet kushti që e kanë nxjerrë, pra Asociacioni”, u shpreh Limaj.
Teksa ka folur për marrëveshjen e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Limaj ka thënë se kërkesat e ndërkombëtarëve nuk e përmendin më njohjen reciproke. Shkak sipas tij janë ngjarjet që ndodhën në veri të Kosovës, me ç’rast fajtor e bën kryeministrin Kurti.
“Dy presidentët e SHBA-së, Trumpi dhe Bideni, kanë kërkuar njohjen. Tash më nuk ka këso kërkesa. Tashmë vijnë mesazhe nga këto qendra që duhet pranohet marrëveshja franko-gjermane që nuk e ka njohjen brenda, dhe ky është degradim, kjo ka ndodhur për këto dy vite, sepse ato ‘filmat’ që u bënë vitin e kaluar e kur policia jonë u bllokua nga barrikadat vitin e kaluar në veri, pra të gjitha këto krijuan një situatë krejt tjetër të pakoordinuar e të pamenduara, dhe ia dhanë një shkas presidentit Vuçiq që t’i largojë serbët nga institucionet”, ka thënë kryetari i NISMA-s.
Limaj ka shtuar se në procesin dialogues, Kosova është në situatë të vështirë. Thotë se në këtë fazë, Serbia del më shumë fituese se sa Kosova.