RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Moska: Londra dhe Uashingtoni të përfshirë në sulmin ndaj Krimesë

moska:-londra-dhe-uashingtoni-te-perfshire-ne-sulmin-ndaj-krimese

Moska ka akuzuar Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në sulmin ukrainas ndaj selisë së flotës ruse të Detit të Zi, në Sevastopol në Krimenë e aneksuar.

“Londra dhe Uashingtoni kanë mbështetur prej kohësh regjimin kriminal në Kiev”, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një konferencë për shtyp në Moskë.

“Sulmi i 22 shtatorit u krye, pa as më të voglin dyshim, me ndihmën e shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike”, shtoi ajo.

“Janë përdorur të dhëna të zbulimit perëndimor, satelitë të vendeve të NATO-s dhe avionë spiunazhi”, tha Zakharova.

“Qëllimi i dukshëm i akteve të tilla terroriste është të largojnë vëmendjen nga përpjekjet e dështuara të kundërofensivës së forcave të armatosura ukrainase, të frikësojnë njerëzit dhe të nxisin panik në shoqërinë tonë”, tha ajo.

Krimea u aneksua nga Rusia në vitin 2014 në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në rrjedhën e kundërofensivës së saj, e cila ka vazhduar prej disa muajsh, Ukraina ka theksuar se kërkon gjithashtu të çlirojë gadishullin nga pushtimi rus.

Selia e flotës ruse të Detit të Zi në qytetin e Sevastopolit u dëmtua rëndë gjatë sulmit, i cili përfshinte përdorimin e dronëve dhe raketave.

Ukraina tha se, gjithsej ishin vrarë 34 oficerë rusë, megjithëse nuk ka paraqitur asnjë provë për të mbështetur pretendimin e saj.

Rusia, e cila ka zhvilluar një luftë agresioni kundër Ukrainës për më shumë se 19 muaj, raportoi vetëm një person të zhdukur pas sulmit. /atsh

Related posts

Thellohet deficiti tregtar në Kosovë/ Ja nga cilat vende importon më shumë mallra?

admin

Italia vendos të ulë me 10% çmimet e ushqimeve, çdo familje do të kursejë gjithsej deri në 150 euro

admin

Shqipëri: Tensionohet situata jashtë Parlamentit, protestuesit hedhin tymuese drejt policisë

rezart morina