RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Netanyahu paralajmëron sulm në Rafah me ose pa marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve

netanyahu-paralajmeron-sulm-ne-rafah-me-ose-pa-marreveshje-per-shkembimin-e-pengjeve

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se do ta fillojnë sulmin tokësor ndaj qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, pavarësisht nëse do të arrihet apo jo marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin, transmeton Anadolu.

Zyra për media e kryeministrit izraelit tha se Netanyahu u takua me përfaqësuesit e të afërmve të pengjeve izraelite në Gaza. Duke thënë se nuk do t’i ndalin sulmet në Gaza “derisa të arrijnë qëllimet e tyre”, Netanyahu theksoi se do të nisin sulm tokësor në Rafah, pavarësisht nëse do të arrihet apo jo marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve.

Ka tërhequr vëmendje që njoftimi i Netanyahut për sulm tokësor në Rafah ku janë strehuar 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur erdhi gjatë periudhës kur negociatat për shkëmbimin e të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdonin.

Negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë në mënyrë indirekte. Në lajmet e paraqitura dje në mediat egjiptiane thuhej se delegacioni i Hamasit është larguar nga kryeqyteti egjiptian, Kajro, dhe se përgjigjen ndaj propozimit për marrëveshjen e armëpushimit do ta japë me shkrim.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron dje në Rijad deklaroi se Hamasit i është propozuar 40 ditë armëpushim dhe lirimi i mijëra pengjeve palestineze në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite.

– Sulmi i mundshëm i Izraelit në Rafah

Qyteti Rafah i vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, të paktën 1.9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë.

Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite, u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli ka pretenduar më parë se “ishte i sigurt”. Bashkë me të zhvendosurit nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah është rritur më shumë se 4 herë, duke arritur në gati 1.5 milion.

Për shkak të mungesës së banesave të mjaftueshme, një pjesë e madhe e palestinezëve që janë strehuar në Rafah po luftojnë për mbijetesë në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara. Ushtria izraelite shpeshherë shënjestron qytetin Rafah me sulme ajrore. Ka shqetësime se civilëve nuk do t’u mbetet më vend për t’u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor në Rafah.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka përsëritur shumë herë se ka miratuar planin për sulm në Rafah, në një deklaratë më 8 prill tha se është caktuar data për sulmin. Televizioni shtetëror izraelit KAN ka njoftuar se ushtria izraelite do të fillojë “shumë shpejt” sulmin tokësor në Rafah.

Related posts

Atentati i dytë ndaj Trump ngre pikëpyetje të reja mbi dhunën politike në SHBA, demokratët dhe republikanët kërkojnë më shumë burime për Shërbimin Sekret

admin

“Kam qenë duke kryer detyrën zyrtare”, flet polici me të cilin u konfrontua Nuredin Lushtaku

admin

Osmani përkujton masakrën dhe dëbimin e shqiptarëve nga Mitrovica

rezart morina