Kampanja “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë” ka përfunduar, pasi sipas iniciuesve, kërkesa e tyre është marrë seriozisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI).
Durim Berisha, iniciues i kësaj nisme, ka bërë të ditur se ministria u ka dhënë garanci se neni do të ndryshohet pata fillimit të vitit të ri shkollor.
Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se peticioni online për 48 orë ka mbledhur mbi 20 mijë nënshkrime, nga të cilat 45 për qind janë vajza dhe gra.
“Të dhënat personale do të asgjësohen në bazë të legjislacionit në fuqi. Falënderojmë secilin person që ka përkrahur këtë nismë fisnike, përmes të cilës është synuar t’i ipet fund diskriminimit dhe të garantohet qasje e barabartë në arsim”, ka shkruar Berisha.
Tutje, ka thënë se nëse MASHTI nuk përmbush detyrimin ligjor, ashtu si ka premtuar se do ta bëj, do të shfrytëzojnë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë.
“Nga sot ju kërkojmë që të ndaloni së komentuari nëpër postimet e bartësve të funksioneve publike. Ju njoftojmë se çdo përdorim tani e tutje i hashtagut #ndryshojeni_ua_për_shaminë nuk ka asnjë lidhje me kampanjën dhe iniciatorët e saj”, ka përfunduar Berisha.