Për herë të parë pas gjashtë vitesh, përkujtimi i përvjetorit të sulmit terrorist në xhaminë në Quebec të Kanadasë, u mbajt në vendin ku ndodhi sulmi, raporton Anadolu Agency (AA).
“Është shumë emocionuese,” tha Maryam Bessiri, zëdhënësja e grupit organizues të homazheve për viktimat.
Gjashtë vite më parë u krye një sulm terrorist në Qendrën Kulturore Islame në Quebec, në momentin kur të paktën 40 besimtarë po përgatiteshin për të falur namazin e jacisë. Gjashtë persona, të moshës nga 35 deri në 70 vjeç, vdiqën në vend. Azzeddine Soufiane (57), Khaled Belkacemi (60), Aboubaker Thabti (44), Mamadou Tanou Barry (42), Ibrahima Barry (39) dhe Abdelkerim Hassane (41), ishin viktima të sulmit.
Edhe pse dy persona, Muhammed Kadir dhe Alexandre Bissonnette, u ndaluan në të njëjtën natë si të dyshuar për sulmin, pas hetimeve u vërtetua se Kadir ishte dëshmitar okular, ndërsa Bissonnette mbeti në paraburgim.
Qeveria kanadeze ka miratuar një ligj që shënon 29 janarin si Ditën Kombëtare të Përkujtimit për sulmin ndaj xhamisë në Quebec dhe aksionit kundër islamofobisë.
Stephen Brown, shefi ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Muslimanëve Kanadezë, organizata më e madhe muslimane në Kanada, tha se ngjarjet e mëvonshme dëshmojnë se tmerret e asaj dite nuk kanë ndryshuar qëndrimet ndaj muslimanëve në Kanada.
“Që nga ajo ditë, pesë muslimanë të tjerë kanë vdekur në sulmet islamofobike në xhaminë IMO (Organizata Ndërkombëtare Muslimane) në Toronto, si dhe në Londër, Ontario”, tha ai në një deklaratë për shtyp të dielën.
Taha Ghayyur, drejtor ekzekutiv i organizatës muslimane “Drejtësia për të gjithë Kanadën”, u pajtua me vlerësimin e Brown.
“Gjërat janë përkeqësuar, veçanërisht me sulmin e fundit në Londër. Gjithashtu po shohim një rritje të krimeve të urrejtjes në Kanada, veçanërisht kundër muslimanëve”, tha Ghayyur para përkujtimit të së dielës.
Megjithatë, ka shpresë. Në fillim të kësaj jave, kryeministri Justin Trudeau emëroi avokaten e të drejtave të njeriut Amira Elghawaby për të mësuar dhe bërë rekomandime për të luftuar islamofobinë.
“Është një emërim historik. Kanadaja është vendi i parë në botë që emëron një përfaqësues ose udhëheqës për të mbikëqyrur dhe këshilluar për çështjet e islamofobisë. Ky është një hap i madh përpara. Do të na ndihmojë të përpiqemi për ndryshime sistematike në Kanada dhe globalisht dhe të në japë kapacitete për të ngritur shqetësime tek njerëzit e duhur në vendet e duhura në nivelet mikro dhe makro”, tha Ghayyur.
Ai theksoi se muslimanët në mbarë botën po persekutohen dhe se kjo po ndikon negativisht në Kanada.
“Ne besojmë se islamofobia në Kanada nuk rritet në vakum. Ajo është e lidhur ngushtë me ngjarjet dhe ideologjitë globale që shtypin drejtpërdrejt pakicat muslimane në mbarë botën”, tha Ghayyur.
Në një deklaratë të dielën, Trudeau tha se lufta kundër islamofobisë duhet të jetë e vazhdueshme.
“Islamofobia nuk ka vend në Kanada dhe ne duhet të vazhdojmë punën tonë për të ndihmuar muslimanët të ndihen të sigurt”, tha kryeministri kanadez.
Thanks to all that have lit their monuments in green as part of the #GreenSquareCampaign to commemorate the 2017 Quebec City attack, which took the lives of six worshippers.
Thank you, @jimdiodati for getting Niagara Falls lit green. pic.twitter.com/k1vI01N1Tm
— NCCM (@nccm) January 27, 2023