Punonjësit e arsimit në shkollat e Kosovës mund të hyjnë edhe një herë në grevë.
Kështu ka paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
E gjitha kjo pasi sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ministrja Nagavci ka ndërprerë dialogun me ta.
“Në mungesë të dialogut në mungesë të qasjes së gabuar ne takimin e fundit u ngritë çështja që të fillohet me veprime sindikale kështu ne me 1 maj do jemi në protestë. Unë e kam për obligim që të jem në krye të atyre veprimeve sindikale qoftë në protesta e qoftë larg qoftë, edhe në greva të cilat mund të ndodhin sidomos në fillim të vitit shkollor e që do të ishte një goditje për vetë sistemin arsimor”, thotë Jashari.
Jasharaj ka treguar kërkesat që i kanë.
“Ne po bëjmë çdo angazhim që të mos ketë protesta e greva, që të ketë biseda që të ketë dialog dhe të fillohet me zgjedhjen e çështjeve një nga një, e kam fjalën pse të hiqet e drejta e fituar e viteve kontribut dhënëse, pse të bëhet një lëvizje aq ironike e vlerës së koeficienti nga 105 në 110”, shprehet ai.
E sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaj, nuk ka arsye që tani të mbahet grevë në arsim.
Por ai ka një kërkesë karshi Ministrisë së Arsimit.
“Grevë me ndërprerje të procesit mësimore, mendoj që nuk ka arsye që dikush të nxisë për debat e lëre me reagu si veprim sindikal. Ne tashmë po vuajmë pasojat e grevës së vitit paraprak mësimor.
Ajo çka ne dëshirojmë të shohim është një dialog social të vazhdueshëm ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë, mësimdhënësit e meritojnë një pagë të dinjitetshme”, vlerëson Qehaja.
Nga Ministria e Arsimit nuk kanë kthyer përgjigje se a pritet të ndodhë ndonjë takim ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.