UNICEF-i ka reaguar ndaj vazhdimit të grevës së arsimit në Kosovë.
UNICEF-i përmes një komunikate për media ka thënë se vonesa në fillimin e vitit të ri shkollor është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh fokusimin në kompensimin e humbjeve si pasojë e pandemisë me COVID-19.
“Jemi duke e përjetuar një krizë globale në mësimnxënie, me gati dy të tretat e fëmijëve të moshës 10-vjeçare që nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë dhe privimi i vazhdueshëm i të drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve”, thuhet në komunikatë.
UNICEF-i kërkon që të vihet në plan të parë interesi i fëmijëve dhe të kthehet sa më shpejtë procesi mësimor.
Greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) shpalli grevën e përgjithshme në sektorin publik.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka bërë të ditur se këtë fundjavë mund të marrë një vendim për fillimin apo jo të procesit mësimor më 3 tetor.
Greva ka vazhduar deri tani për shkak të mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje ndërmjet sindikatave dhe Qeverisë për ta ndërprerë atë.