Të paktën 112 palestinezë të tjerë janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, si dhe 148 të tjerë u plagosën derisa Izraeli vazhdon sulmet në Gazën e rrethuar, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se “pushtimi izraelit ka kryer 13 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 112 martirë dhe 148 të lënduar në 24 orët e fundit”.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, theksohet në njoftim.
Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës ku të paktën 27.131 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 66.287 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.