Në Klinikën Infektive po trajtohet gjithsej 13 pacientë me Covid -19. Dy prej të hospitalizuarve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po trajtohen me oksigjenoterapi. Mirëpo, sipas infektologëve nuk ka nevojë për shqetësime, pasi sipas tyre natyra e Covid-19 është të paraqitet herë pas herë.
Covid-i 19 është ende në mesin tonë. Klinika infektive e Qendrës kryesore spitalore në vend ka pranuar këto ditë pacientë të prekur me koronavirus, 13 prej të cilëve janë duke u trajtuar ende në këtë klinikë.
“Numri i të spitalizuarve në Klinikën Infektive është gjithsej 13 pacientë. Nga pacientët e shtrirë në klinike, dy janë të asistuar me oksigjenoterapi. Gjendja e përgjitshme e pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive momentalisht është stabile, pacientët janë nën mbikqyrje të vazhdueshme nga stafi i Klinikës Infektive, ku përveç oksigjenterapisë ordinihen edhe terapi sipas protokollit, terapi simptomatike dhe terapi të tjera shtese, duke u bazuar edhe në sëmundjet e tjera shoqëuese që mundë t’i kenë ata pacient”, thuhet në përgjigjen e Infektivës për rtv21.
Sipas infektologut, Hamdi Ramadani, nuk ka nevojë për panik pasi që është në natyrën e Covid-i 19 që të përseritet herë pas here. Megjithatë, ai vlerëson se pandemia Covid- 19, nuk e ka efektin e njëjtë siç e kishte vite më parë.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 14.9 milionë njerëz në mbarë botën kanë humbur jetën si rezultat i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i Covidit-19 në periudhën midis 1 janarit 2020 dhe 31 dhjetorit 2021.