Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë vikendit janë arrestuar 14 persona të dyshuar për përdorim të armëve ne ahengje familjare.
Sipas një njoftimi të Policisë gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin për përdorim të armëve apo mjeteve të rrezikshme në një aheng familjarë në fshatin Koshare të Ferizajt.
Në njoftim thuhet se pasi që kanë pranuar informata për të shtëna me armë, kanë arritur të identifikojnë disa persona, te të cilët janë gjetur armë të zjarrit, me të cilat dyshohet se ishte shtënë gjatë ahengut.
“Policia i ka shoqëruar shtatë persona në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysmëautomatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rasti është cilësuar “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” , “armëmbajtje pa leje” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Në një njoftim Policia ka bërë të ditur se pesë persona janë arrestuar në rajonin e Pejës, si të dyshuar për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, gjatë vikendit ka pranuar informacione se ka të shtëna në ahengje familjare në Pejë dhe Klinë, nga njësitet relevante janë gjetur dhe sekuestruar: Një (1) Armë pistoletë Blow Tr 17 cal 9mm, një (1) Armë pistoletë Blow Tr 17 cal 9mm, një (1) Armë pistoletë TT, një (1) karikator të së njëjtës armë, një (1) Armë pistoletë Zoraki cal 9mm, një (1) karikator të së njëjtës armë, pesëdhjetë e nëntë (59) gëzhoja.
Sipas njoftimit katër nga personat e dyshuar pas intervistimit më vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë te rregullt.
Ndërkohë që një i dyshuar tjetër për përdorim të armëve në aheng familja është arrestuar në Kamenicë. Si pasojë e përdorimit të armëve në këtë rast thuhet se lëndime ka pësuar një person.
“I njëjti ka pranuar tretman mjekësorë në qendrën emergjente të Spitalit rajonal të Gjilanit dhe sipas mjekut kujdestar i lënduari ka lëndime të lehta trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar 14 gëzhoja të armës si dhe 2 armë zjarri të kalibrit 9mm, të cilat do të përdorën provë materiale për gjykatën. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari i këtij rasti mashkull kosovar i vitit të lindjes 1971 është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.
“Patrulla policore e Stacionit Policor në Gjakovë rreth orës 23:00 pasi ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Ardhmëria” fshati Madanaj-Gjakovë, ka arritur të identifikoj dhe arrestoj një të dyshuar (R. K., i lindur në vitin 1983 mashkull kosovar) mbi dyshimin se i njëjti kishte shtënë me armë zjarri. Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë dhe katër (4) gëzhoja”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në rastin e dytë në fshatin Skivjan në Gjakovë sipas Policisë, është arrestuar i dyshuari K.B., i lindur në vitit 1985 pasi që në një aheng tjetër familjar kishte shtënë me armë zjarri. “Në posedim të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë (e cilat dyshohet të jetë përdorur në rast) si dhe janë gjetur gjashtë gëzhoja”, thuhet në njoftim.