Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut, 17 vjet më parë.
Derisa mijëra protestues kundërshtonin dokumentin e Ahtisaarit, protesta eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit. Ishte policia e rumune e UNMIK-ut ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.
Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishte edhe shumë të plagosur.
Madje, erërat e lotsjellësit nuk u hoqën pesë ditë nëpër sheshet e Prishtinës, raporton KP. KMDLNJ ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një sërë aktivitetesh, si homazhe te varret e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, nderime te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe do të shfaqet një film dokumentar dhe do të mbahet një diskutim në Kinemanë “ABC”.