18 trupa janë gjetur në një pyll në Greqinë veriore i cili është goditur nga zjarri gjatë katër ditëve të fundit, ka bërë të ditur shërbimi grek i zjarrfikësve.
Raportet e para sugjerojnë se ata që kanë vdekur mund të kenë qenë emigrantë.
Rajoni i Evros në Greqinë verilindore, jo shumë larg kufirit turk, është shkatërruar nga zjarret.
Pacientët u zhvendosën nga një spital pasi zjarret arritën në Aleksandropolis.
Flakët arritën në mjediset e spitalit të qytetit dhe foshnjat e porsalindura dhe pacientët e kujdesit intensiv ishin midis atyre që u evakuuan në një traget të ankoruar në portin e qytetit, shkruan BBC.
Parku kombëtar Dadia është një zonë e madhe pyjore në veri të Aleksandoupolis dhe zjarret mendohet se janë përhapur me shpejtësi atje që nga e hëna.
Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Yiannis Artopoios tha se po hetohet mundësia që 18 viktimat e gjetura të martën të kishin hyrë ilegalisht në Greqi, duke qenë se nuk kishte raportime për banorë të zhdukur.
Rajoni i Evros është bërë një nga rrugët më të njohura për emigrantët sirianë dhe aziatikë që kalojnë lumin Evros nga Turqia për në Bashkimin Evropian. /koha