Me dhimbje e krenari, Arianit e Kreshnik Ibrahimi kujtojnë babain e tyre, Isakun.
Ky i fundit kishte marrë pjesë në protestën e 17 marsit të vitit 2004, e cila njihet si ‘’Trazirat e marsit.’’
Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur tre fëmijë shqiptarë si pasojë e ndjekjes nga të rinj të komunitetit serb.
Dhimbja ishte e madhe njësoj si vullneti për të protestuar për këtë akt.
“E kam vërejtë mllefin e prindit një natë më herët për vrasjen e fëmijëve në Çabër, e di që ka qenë i irrituar edhe i mërzitur. Të nesërmen në mëngjes ka dalë në protestë si mijëra qytetarë tjerë”, thotë Arianit Ibrahimi, i biri i Isak Ibrahimit
E për lajmin e hidhur, ata e kuptuan më vonë se të tjerët.
“Jemi kon si fëmijë t’u lujt me fëmijët tjerë të mëhallës, krejt e kishin ditë e mbaj mend që na afrofshin krejt”, tregon Arianiti.
Mungesën e babait, Kreshniku e ndjen edhe sot.
E për të zbutur dhimbjen e mallin, emrin e tij e përtëriu tek i biri, Isaku.
“Ka qenë në parkun e qytetit, pranë lumit Ibër, aty ka rënë dëshmor nga snajperistët serb. Rasti ka qenë shumë i rëndë për neve, si prind ma, pa marrë parasysh qysh ndodhë tek ndodhë, është dhimbje e madhe”, shprehet Kreshnik Ibrahimi.
E rrezikun e atyre ditëve e kaloi Rafet Bajgora.
“Një ditë tmerri ka qenë atë ditë. Ka eskalu situata me protestë, dhunë, shumë shpejt edhe populli u mobilizua”, shprehet Bajgora.
Trazirat e marsit zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.