22 vite pas masakrës së Lubotenit, plagët e atyre ngjarjeve janë akoma të freskëta tek banorët, e veçanërisht tek familjet që kanë pasur edhe viktima në njerëz. Futja e forcave policore në mëngjesin e 12 gushtit të vitit 2001 në këtë fshat, i shkëputi ata nga rutina e punëve të përditshme që bënin edhe atë mëngjes, për të mos u kthyer më në gjendjen e më parshme.
Mes frikës, tmerrit dhe memorieve të këqija, mbetet i paprekshëm kujtimi për 10 viktimat që humbën jetën 22 vite më parë. Për çdo vit fshatarët dhe drejtuesit e bashkësisë lokale kujtojnë përvjetorin e masakrës së vitit 2001, të kryer nga forcat policore me urdhër të Johan Tarçullovskit, në kohën kur ministër i brendshëm ishte Lube Boshkovski. 22 vite më parë masakra e cila mori jehonë ndërkombëtare u krye vetëm një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Nga ndërhyrja brutale e policisë së asaj kohe u vranë 10 civilë të këtij fshati mes të cilëve edhe një fëmijë 6 vjeçar, Erxhan Aliu. Viktimat e tjera të masakrës së Lubotenit ishin edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Në këtë aksion të policisë po ashtu u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë. Arsyetimi për operacionin ishte se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.
Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në Hagë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski. Ndërsa i akuzuari i parë, ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai u lirua pas 8 viteve.