Sot bëhen 27 vjet nga protesta më e madhe studentore në Kosovë, e mbajtur më 1 tetor të vitit 1997, nën organizimin e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP).
Protestës së atëhershme i prin anëtarët e kryesisë së UPSUP-së, në mesin e të cilëve ishte edhe kryeministri i tanishëm Albin Kurti, që tani është kryeministër si dhe Bujar Dugolli, Driton Lajqi dhe Muhamet Mavraj. Në krye të protestës ishte edhe rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.
Kjo protestë studentore ishte nismëtare e lëvizjes gjithëpopullore kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Kosova në atë periudhë ishte e ngulfatur nga regjimi serb dhe studentët ishin ngritur për të kërkuar lirimin e objekteve shkollore, përkatësisht Universitetin e Prishtinës, por kërkesa, sipas organizatorëve në thelb ishte për lirinë e Kosovës.
Bujar Dugolli, profesor universitar, një ndër ish-organizatorët e protestës gjithëpopullore të 1 tetorit të vitit 1997, tha se Lëvizja Studentore ka pasur sukses me protestën e 1 tetorit të ’97-së.
“Ne deshëm të tregonim që në Kosovë mohohet çdo gjë, edhe liria themelore e njeriut që është e garantuar me kartën për liri dhe të drejtat të njeriut të OKB-së, edhe e drejta në arsim në gjuhën shqipe. Lëvizja pat sukses me protestën e 1 tetorit, sepse menjëherë u bë një bum madh i lëvizjes së përgjithshme për liri dhe pavarësi”, deklaroi Dugolli në “Voyage” në RTK.
Një tjetër ish-organizator i asaj proteste, Driton Lajçi, deklaroi se protestat e ’97 – ’98-së, që zgjaten shtatë muaj, kishin rrjedhën e vet.
“Në Kosovën e viteve ’97-’98 ka pasur disa protesta. Më 1 tetor 1997, më 29 tetor, më 30 dhjetor, më 2 mars, më 9 mars, më 13 mars, më 17 mars dhe më 30 prill. Janë shtatë muaj jo vetëm ndërlidhje, por edhe protagonizëm për lirinë e Kosovës”, tha ai.
“Kërkesat tona dhe organizimi ynë pasurohen dhe zgjerohen. 2 marsi vjen si rrjedhojë e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, pastaj 9 marsi pas masakrës së Jasharëve. E më 30 prill për herë të parë studentët në Prishtinë brohorasin UÇK para objektit të Fakultetit Teknik”, shtoi Lajçi.
The post 27 vjet nga protesta studentore kundër regjimit serb në Prishtinë first appeared on Radio Televizioni Iliria.