RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

3 fëmijë dhe 3 të rritur vriten nga të shtënat me armë në një shkollë fillore në Neshvill – VIDEO

3-femije-dhe-3-te-rritur-vriten-nga-te-shtenat-me-arme-ne-nje-shkolle-fillore-ne-neshvill-–-video

Një person vrau me armë tre fëmijë dhe tre të rritur në një shkollë të krishterë në shtetin jugor amerikan Tenesi, njoftuan autoritetet.

Policia qëlloi dhe vrau personin e dyshuar, për gjininë e të cilit dha informacione të paqarta. Për orë të tëra, policia e identifikoi si një grua 28-vjeçare dhe përfundimisht e identifikoi me emrin Audrey Hale. Më pas, në një konferencë shtypi në orët e vona të pasdites, shefi i policisë tha se Audrey Hale ishte transgjinore. Pas konferencës për shtyp, zëdhënësi i policisë Don Aaron nuk pranoi të shtjellonte se si identifikohej aktualisht Audrey Hale.

Don Aaron, zëdhënës për Departamentin e Policisë në Neshvill, tha se personi kishte të paktën dy armë gjysëm-automatike dhe një pistoletë.

Ai tha se policia filloi të marrë telefonatat e para në orën 10:13 të paradites, për një sulm me armë në shkollën private presbiteriane, “The Covenant School”, në Neshvill.

Oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje dëgjuan krisma që vinin nga kati i dytë i shkollës, tha z. Aaron.

Ai tha se dy oficerët që ishin pjesë e një ekipi prej pesë vetash e qëlluan personin në hollin e godinës dhe personi vdiq në orën 10:27 të mëngjesit.

Autoritetet nuk e kanë identifikuar atë me emër dhe thanë se po punojnë për të përcaktuar motivin.

Policia i përshkroi viktimat si tre nxënës dhe tre anëtarë stafi. Ata saktësuan se përveç tyre nuk ishte qëlluar dikush tjetër.

Policia i shoqëroi studentët e tjerë në një kishë aty pranë, ku prindërit ishin mbledhur së bashku.

Shkolla ka rreth 200 nxënës, duke filluar që nga niveli parashkollor dhe deri në klasën e gjashtë, thuhet në faqen e saj të internetit.

“Është tronditëse, makthi më i keq për një familje”, u tha gazetarëve në Uashington Presidenti Joe Biden.

Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë ligje për kontroll më të fortë ndaj armëve.

“Duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur shkollat tona, në mënyrë që të mos shndërrohen në burgje… I bëj thirrje Kongresit sërish që të vendosë një masë ndalimi ndaj armëve të sulmit”, tha ai.

Zonja e Parë, Jill Biden, foli gjithashtu për sulmin të hënën.

“Jam vërtet pa fjalë. Dhe fëmijët meritojnë më mirë”, tha ajo gjatë një konference të Ligës Kombëtare të Qyteteve në Uashington.

Kryebashkiaku i qytetit Neshvill, John Cooper, shkruajti në Twitter: “Në një mëngjes tragjik, Neshvilli iu bashkua listës së frikshme dhe të gjatë të komuniteteve që përjetojnë një sulm me armë në shkollë. Ndjenjat e mia janë me familjet e viktimave. I gjithë qyteti ynë qëndron me ju”.

Ndërkohë që sulmet me armë me viktima të shumta janë bërë më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, autoret femra të këtyre sulmeve janë të rralla.

Nga 187 sulme të tilla me shumë viktima që nga viti 1996, vetëm katër u bënë nga gra, sipas organizatës joqeveritare “The Violence Project”, që monitoron këto lloj sulmesh. Autorja e dyshuar e sulmit të së hënës do të ishte e pesta.

Vitin e kaluar, një sulm me armë në shkollën fillore në Uvalde, Teksas, la 21 të vdekur.

Masakra të tjera vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara përfshijnë një sulm me armë në vitin 2018 në një shkollë të mesme në Parkland, Florida, ku vdiqën 17 persona; një sulm në vitin 2012 në Shkollën Fillore Sandy Hook, në Konektikat, ku u vranë 26 persona; si dhe një sulm në vitin 1999 në Shkollën e Mesme Columbine në Kolorado, ku u vranë 13 persona. /voa

Related posts

Bllokohen 24 prona dhe 11 villa në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë

RTI

Erdoğan bisedë telefonike me homologun rus Putin

admin

Kosova ftohet për herë të parë në Konferencën COP28

admin