Të paktën 78 njerëz kanë vdekur në kushtet e ngrirjes në Afganistan në nëntë ditët e fundit, ka bërë të ditur një zyrtar taleban.
Shafiullah Rahimi, zëdhënës i Ministrisë së Menaxhimit të Fatkeqësive të Talebanëve, i tha CNN-it se së bashku me humbjen e jetëve njerëzore, më shumë se 77,000 bagëti janë ngrirë gjithashtu për vdekje në ditët e fundit.
Temperaturat në Afganistan ranë deri në minus 28 gradë celsius në fund të javës së kaluar.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) në Afganistan tha në një postim në Twitter të mërkurën se humbjet e bagëtive përbënin një rrezik të mëtejshëm për familjet, me më shumë se 21 milionë njerëz që kanë nevojë urgjente për ushqim dhe mbështetje bujqësore.
Marrja e pushteti nga talebanët në gusht të vitit 2021 e ka zhytur Afganistanin në një krizë ekonomike dhe humanitare.
Partnerët humanitarë po ofrojnë ngrohje, para për karburant dhe rroba për familjet, por shpërndarja e ndihmave është ndikuar rëndë nga ndalimi i talebanëve për punonjëset femra, tha UNOCHA në Afganistan në një postim në Twitter.
Dhjetëra grupe të mëdha të ndihmës së huaj kanë pezulluar përkohësisht operacionet e tyre në Afganistan që nga dhjetori, kur talebanët urdhëruan të gjitha organizatat joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare të ndalojnë punonjëset e tyre femra që të vijnë në punë.
Të drejtat, liritë dhe aksesi i grave në arsim janë cenuar rëndë nën talebanët, të cilët kohët e fundit i kanë ndaluar femrat të kenë akses në arsim.
Gjysma e popullsisë së Afganistanit po përjeton urinë akute dhe ndërsa konflikti është ulur, dhuna, frika dhe privimi mbeten, zbuloi një raport i OKB-së në nëntor. /koha