RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ukraina po prodhon dronë me rreze të gjatë veprimi me ndihmën e teknologjisë perëndimore

ukraina-po-prodhon-drone-me-rreze-te-gjate-veprimi-me-ndihmen-e-teknologjise-perendimore

Pavarësisht hezitimit të Perëndimit për t’i dhënë Ukrainës dritën e gjelbër që ta sulmojë Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga ajo, shteti i cili po lufton pushtimin rus që më shumë se dy vjet, tashmë po prodhon vetë dronë me rreze të gjatë veprimi. Prodhimi i tyre po bëhet me një kosto jo shumë të lartë, derisa mbrojtja që nevojitet për t’i rrëzuar ata kërkon shpenzime shumë më të mëdha. Zyrtarë të kompanive që po i prodhojnë ato thonë se strategjia tashmë po krijon dilema të mëdha për Moskën.

Teknologjia dhe financat perëndimore po ndihmojnë Ukrainën të kryejë qindra sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë.

Kjo po ndodh pavarësisht se aleatët e NATO-s ende refuzojnë t’i japin Ukrainës lejen për t’i përdorur municionet që janë dhuruar nga Perëndimi, kryesisht për shkak të frikës së përshkallëzimit.

Ukraina ka shtuar sulmet e saj me rreze të gjatë brenda Rusisë gjatë muajve të fundit, duke lëshuar një sërë dronësh në të njëjtën kohë, drejt objektivave strategjike, disa herë në javë.

Objektivat përfshijnë bazat e forcave ajrore, depot e naftës dhe municionit, si dhe qendrat e komandës.

Firmat ukrainase po prodhojnë tani qindra dronë sulmues në muaj, me një kosto që nevojitet për të prodhuar një dron të ngjashëm në Perëndim.

Një kompani i tha BBC-së se tashmë po krijonte një ndikim joproporcional në ekonominë e luftës së Rusisë me një shpenzim relativisht të vogël.

BBC-ja është informuar nga një numër i atyre që janë të përfshirë në këto misione. Ato përfshijnë një nga prodhuesit më të mëdhenj të dronëve në Ukrainë, si dhe një kompani të madhe të të dhënave që ka ndihmuar në zhvillimin e softuerit për Ukrainën, për t’i kryer këto sulme.

Francisco Serra-Martins, bashkëthemelues i kompanisë “Terminal Autonomy”, thotë se strategjia tashmë po krijon dilema të mëdha për Moskën. Ai beson se me investime shtesë, vala e luftës do të kthehej në favor të Ukrainës.

Tetëmbëdhjetë muaj më parë, kompania “Terminal Autonomy”, as që ekzistonte. Tani po prodhon më shumë se 100 dronë me rreze të gjatë AQ400 Scythe në muaj. Droni mund të udhëtojë deri në një distancë prej 750 km. Kompania prodhon gjithashtu qindra dronë me rreze më të shkurtër AQ100 Bayonet në muaj, të cilët mund të fluturojnë ca qindra kilometra.

Dronët janë prej druri dhe po montohen në ish-fabrikat e mobileve në Ukrainë.

Serra-Martins, një ish-inxhinier i Ushtrisë Australiane, krijoi kompaninë me bashkëthemeluesin e tij ukrainas, të mbështetur nga financat e SHBA-së. Është një nga të paktën tri kompani që tani prodhojnë dronë në Ukrainë.

Ai i përshkruan dronët e tij si “mobile fluturuese”.

Duhet rreth një orë për të ndërtuar dronin dhe gjysma e kësaj kohe për të vendosur trurin brenda tij – elektronikën, motorin dhe eksplozivët.

Droni “Bayonet” i kompanisë kushton disa mijëra dollarë. Në të kundërt, një raketë ruse e mbrojtjes ajrore e përdorur për ta rrëzuar atë mund të kushtojë më shumë se 1 milion dollarë.

Por, nuk janë vetëm dronët e lirë që bëjnë diferencën.

“Palantir”, një kompani e madhe amerikane e analizës së të dhënave, ishte një nga kompanitë e para të teknologjisë perëndimore që ndihmoi përpjekjet luftarake të Ukrainës. Filloi duke ofruar softuer për të përmirësuar shpejtësinë dhe saktësinë e goditjeve të saja të artilerisë. Tani ajo i ka dhënë Ukrainës mjete të reja për të planifikuar sulmet e saja me dronë me rreze të gjata veprimi.

Inxhinierët britanikë nga “Palantir”, duke punuar me homologet ukrainas, kanë krijuar një program për të gjeneruar dhe hartuar mënyrat më të mira për të arritur një objektiv.

Kompania e bën të qartë se nuk është e përfshirë në misione, por ka ndihmuar në trajnimin e më shumë se 1,000 ukrainasve se si të përdorin softuerin e tij.

BBC-së i është treguar se si funksionon ajo në parim. Duke përdorur rrjedha të dhënash, ajo mund të parashikojë mbrojtjen ajrore të Rusisë, radarët dhe bllokuesit elektronikë. Produkti përfundimtar duket i ngjashëm me një tabelë topografike.

Sa më të sakta të jenë konturet, aq më e vështirë bëhet mbrojtja ajrore. Vendndodhjet tashmë janë identifikuar nga Ukraina duke përdorur imazhe satelitore dhe inteligjencë sinjalesh.

Louis Mosley nga “Palantir” thotë se programi po e ndihmon Ukrainën “të kalojë rreth luftës elektronike dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore të Rusisë” për të arritur objektivin e tyre.

“Të kuptuarit dhe vizualizimi i asaj që duket në të gjithë hapësirën e betejës është me të vërtetë kritike për optimizimin e këtyre misioneve,” thotë ai.

Ekzekutimi i sulmeve me dronë me rreze të gjatë është duke u koordinuar nga agjencitë e inteligjencës të Ukrainës, të cilat punojnë në fshehtësi. Por nga disa burime të tjera BBC-ja ka kuptuar disa nga detajet.

Shumë dronë mund të lansohen për çdo mision, apo deri në 60 sosh në një objektiv.

Sulmet kryhen kryesisht gjatë natës. Shumica do të rrëzohen, ndërkaq deri në 10% mund të arrijnë objektivin. Disa dronë madje rrëzohen gjatë rrugës nga mbrojtja ajrore e vetë Ukrainës.

Ukrainës i është dashur të gjejë mënyra për të kapërcyer pengesat elektronike ruse. Droni “Scythe” i “Terminal Autonomy” përdor pozicionimin vizual, duke lundruar në rrjedhën e tij dhe duke ekzaminuar terrenin me anë të Inteligjencës Artificiale. Në të nuk ka asnjë pilot të përfshirë.

Softueri “Palantir” do të ketë hartuar tashmë rrugët më të mira. Serra-Martins thotë se fluturimi i shumë dronëve është çelësi për të mposhtur dhe rraskapitur mbrojtjen ajrore të Rusisë. Po kështu edhe dronët janë më të lirë se raketat që përpiqen t’i rrëzojnë ose objektivat që përpiqen t’i godasin.
Profesori Justin Bronk i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara thotë se sulmet me dronë me rreze të gjatë të Ukrainës po krijojnë dilema për Moskën. Edhe pse Rusia ka shumë mbrojtje ajrore, ajo nuk mund të mbrojë gjithçka.

Bronk thotë se sulmet me rreze të gjatë të Ukrainës po u tregojnë rusëve të zakonshëm se “shteti nuk mund t’i mbrojë ata plotësisht dhe se Rusia është e pambrojtur”.

Dronët ukrainas janë parë në një distancë prej më shumë se 1,000 km brenda Rusisë. Ata janë lansuar mbi Moskë.

Por fokusi ka qenë në objektet ushtarake. Në mesin e objektivave ishin pesë baza ajrore ruse.
Profesor Bronk thotë se shenjëstrimi i bazave ajrore ruse ka qenë deri më tani mënyra e vetme efektive që Ukraina t’i përgjigjet bombardimeve të Rusisë.

Ajo e ka detyruar Rusinë të zhvendosë avionët në baza më larg dhe të zvogëlojë shpeshtësinë e sulmeve. Imazhet satelitore tregojnë se si dronët ukrainas kanë dëmtuar me sukses hangarët në bazën ajrore ruse, Marynovka.

Ukraina beson qartë se mund të bëjë edhe më shumë me ndihmën e armëve me rreze të gjata të prodhimit perëndimor. Por deri më tani, aleatët i kanë hedhur poshtë lutjet e Kievit.

Ekziston ende një frikë e vazhdueshme, veçanërisht në Washington dhe Berlin, se përdorimi i këtyre armëve për t’u sulmuar Rusia, mund ta tërheqë Perëndimin në konflikt. Por kjo nuk i ka penguar kompanitë perëndimore që ta ndihmojnë Ukrainën.

Ukraina ende duhet të mbështetet kryesisht në përpjekjet e saja, e bindur se dërgimi i luftës në Rusi është një çelës për ta fituar këtë luftë.

Francisco Serra-Martins gjithashtu beson se prodhuesit perëndimorë janë ende “mjerisht të papërgatitur” për të luftuar luftën me intensitet të lartë, duke prodhuar shumë më pak armë me rreze të gjatë, me një kosto shumë më të lartë. Ai thotë se ajo që Ukrainës i duhet vërtet tani është “mjaftueshëm sisteme shumë të mira”.

BBC-ja ka biseduar me një kompani ukrainase e cila tashmë po zhvillon një raketë të re lundrimi, të paktën 10 herë më të lirë se një raketë “Storm Shadow” e prodhimit britanik.

Pavarësisht nga dyshimet e Perëndimit në këtë aspekt, Ukraina po planifikon të shtojë sulmet e saj ndaj Rusisë.

“Ajo që po shihni tani është si asgjë në krahasim me atë që do të shihni deri në fund të vitit”, thotë Serra-Martins. /koha

Related posts

Afganistani pranon ndihma pas tërmetit shkatërrues

admin

Fidan në Shkup: Ballkani është çelësi i sigurisë së Evropës

admin6

56 persona vdiqën në aksidente trafiku për shtatë muaj në Kosovë

rezart morina