RTV AHIRETI
Lajme

Ligji për Gjuhët, Mickoski: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet

ligji-per-gjuhet,-mickoski:-vendimi-i-gjykates-kushtetuese-duhet-te-respektohet

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, thotë kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për vendimin eventual për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai nuk komenton më shumë se cili mund të ishte vendimi i duhur.

“Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë gjyqësore në vend dhe nuk mund ta mendoj se ekzistojnë qytetarë ose aktorë politik që veten e vlerësojnë si të përgjegjshëm dhe nuk respektojnë vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kështu që ta lëmë politikën anash dhe të shohim çfarë vendimi do të sjell Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk është anarki. Ne nuk mund të sillemi sikur të ishim në anarki, sado që kjo të mos na pëlqejë. Jo gjithmonë në jetë na kanë pëlqyer gjërat. Ta presim vendimin dhe të sjellim përfundime”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kreu i LSDM-së thotë se bëhet fjalë për shqyrtime të pjesshme të ligjit dhe jo në tërësi. Edhe ai nuk komenton më shumë, pa u marrë një qëndrim partiak.

“Sa e di unë, nuk bëhet fjalë për përdorim të përgjithshëm por vetëm për disa pjesë të tij. Sa i takon kësaj, partia do të marrë qëndrim në ditët e ardhshme dhe do të dalim publikisht”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Kreu i Besës Bilall Kasami thotë se kjo është pasoja e politikave gjysmake të BDI-së mirëpo zotohet se gjatë qeverisjes së VLEN s’do të ketë kthim pas në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Këta janë disa nga pasojat e keqqeverisjes së BDI-së në të kaluarën, ku ka ofruar zgjidhje gjysmake dhe ka bërë më shumë politikë se sa vendime në interes të shqiptarëve. Ne garantojmë që edhe situatën me përdorimin e gjuhës shqipe por edhe me të drejtat e shqiptarëve, do ta avancojmë dhe nuk do të ketë përkeqësime.

Sigurisht se edhe në Gjykatën Kushtetuese, edhe në institucionet tjera të drejtësisë ende ka mbetje nga pushteti i kaluar të cilët do të mundohen, duke i shërbyer opozitës, në këtë rast BDI-së, të krijojnë situata të tensionuara”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Gjatë ditëve të fundit, kanë reaguar edhe parti të tjera. Sipas Frontit Evropian, nëse gjykata e merr parasysh nismën, kjo do të jetë kthim pas në kohën para Marrëveshjes së Ohrit. /Alsat/

The post Ligji për Gjuhët, Mickoski: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet first appeared on Radio Televizioni Iliria.

Related posts

I ftohtë acar në SHBA, temperaturat zbresin deri në -78 gradë, shumë zona pa energji

admin

BE miraton paketën e ndihmës për Ukrainën, pavarësisht vetos së Hungarisë

admin

​Nis monitorimi i zhurmave në lokalet e gastronomisë në Prishtinë

rezart morina