RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Një vit nga sulmi që kishte qëllim aneksimin e veriut, përgjegjësit ende në liri, Serbia e pandëshkuar

nje-vit-nga-sulmi-qe-kishte-qellim-aneksimin-e-veriut,-pergjegjesit-ende-ne-liri,-serbia-e-pandeshkuar

Sot, bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë.

Ky sulm ishte kryer nga grupi paraushtarak serb, i cili ishte i armatosur rëndë, ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi – Afrim Bunjaku, raporton teve1.info

Incidenti ndodhi gjatë një periudhe tensionesh të shtuara pas vendosjes të katër kryetarëve të komunave në komunat me shumicë serbe në maj të vitit 2023 pas bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët e Kosovës dhe dështimit të bisedimeve për marrëveshjen e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Si ndodhi sulmi?

Fillimisht, këta terroristë planin kishin filluar ta realizonin në orën 01:00, ku me dy kamionë bllokuan rrugën që të shpie te ura e fshatit Banjskë. Pas bllokimit, këta terroristë ishin fshehur, ndërkohë që zyrtarët policorë të Kosovës pas një ore kishin shkuar për t’i hequr kamionët dhe ta lirojnë rrugën, në atë kohë edhe filluan që t’i sulmonin.

Për pasojë, terroristët vranë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun, të plagosur lanë policin Alban Rashitin e të lënduar Çlirim Shaqirin, Mirsad Kryeziun dhe Sedat Dushin.

Policia e Kosovës kishte reaguar me shpejtësi, ku njësitet speciale për orë të tëra kishin shkëmbyer të shtëna ndaj pjesëtarëve të grupit terroristë, ku tre nga ta ishin vrarë dhe disa u kapën të gjallë.

Grupi paraushtarak ishe strehuar në Manastirin e Banjskës duke mbajt peng dhe disa pelegrinë.

Pas disa orë të shtënash, dikur rreth orës 15:00, grupi paraushtarak serb të cilit i printe Milan Rodiçiq iku nga manastiri, disa në këmbë, disa me vetura në drejtim të Serbisë.

Policia gjeti sasi të madhe të armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Reagimet në Kosovë:

Sulmi ngjalli reagime në Kosovë dhe jashtë saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte quajtur sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, sulm ndaj Kosovës.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë do ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.” – thuhej në reagimin e presidentes, Osmani.

E kryeministri, Albin Kurti tha se sulmuesit ishin të financuar nga Serbia.

“Të dashur qytetarë. Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.”

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, kishte shkruar Kurti.

E ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte thënë se sulmuesit e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë qytetarë rusë dhe serbë.

Sveçla gjatë një deklarate para gazetarëve, kishte deklaruar se disa prej tyre janë nga organizata “Mbrojtja Civile”.

“Vizituam vendin e ngjarjes, ku pak pas orës tre të mëngjesit, grupe të armatosura sulmuan patrullën tonë policore, meqë rast vranë rreshterin tonë Afrim Bunjaku. Po ashtu kishim një zyrtarë tjetër të plagosur dhe një të lënduar. Pas kësaj përgjigjja e zyrtarëve policorë të Kosovës ishte e menjëhershme, profesionale për një kohë relativisht të shkurtër e vendosën gjithë këtë territor në kontroll, ajo u bë pas një numri të betejave, ku kishim edhe një zyrtar tjetër të lënduar lehtë. Me këtë rast ne kemi po ashtu gjashtë të arrestuar dy nga ta të plagosur me uniformë të armatosur dhe katër të tjetër me radiolidhje, dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedura e identifikimit. Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme të armatimit të rëndë këmbësorie eksploziv, logjistikë, ushqime pajisje për barrikada, lirisht mund të themi që ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë”, ka thënë Sveçla.

Reagimet e Ndërkombëtarëve

Bashkimi Evropian dhe ShBA dhe gjithë vendet aleate të Kosovës kishin dënuar këtë sulm.

Shefi i BE-së, Josep Borrell kishte dënuar sulmin, ku kishte deklaruar se autorët duhet të përballen me pasoja ligjore

Ndërsa, i dërguari për dialog, Miroslav Lajçak duke dënuar sulmin kishtë bërë thirrje për kthim në dialog.

“Autorët duhet të përballen me drejtësinë. Të gjithë duhet të kthehen në dialog, menjëherë”, kishte shkruar Lajçak.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë “të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet”.

Edhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka dënuar sulmin kundër Policisë së Kosovës.

Kurse, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Kush është Afrim Bunjaku, polici që u vra nga serbët gjatë detyrës

Afrim Bunjaku (15 prill 1973 – 24 shtator 2023) ishte rreshter i Policisë së Kosovës që u vra në orët e para të ditës së diel më 24 shtator 2023 nga një grup kriminelësh serbë të armatosur rëndë në Sulmin e Banjskës afër fshatit Banjskë të Komunës së Zveçanit. Në momentin e vrasjes ai ishte komandant i Stacionit të Policisë në Zveçan. Pas vdekjes është nderuar nga Presidentja me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Presidentja, Vjosa Osmani shpalli të hënën (25 shtator 2023) ditë zie në Kosovë. Varrimi u bë më 25 shtator 2023 në Samadrexhë.

Aktakuza kundër 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist në Bansjkë, që ndodhi më 24 shtator të 2023-së.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili pas sulmit në Banjskë ka pranuar se ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm.

Në konferencën për media, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht për të arritur deri te ngritja e kësaj aktakuze.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Sipas aktakuzës grupi që kreu sulmin kishte synim aneksimin e veriut të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë

Përgjegjësi kryesor për këtë sulm, Milan Radoiçiq ende vazhdon të jetë i lirë sikurse pjesa tjetër e këtij grupi.

Serbia ka refuzuar të dorëzojë ata pavarësisht kërkesave të Kosovës.

Ndërsa, as nga BE nuk është ndërmarrë ndonjë masë ndaj Serbisë, me arsyetimin se po “presin vendimin e gjykatave të Kosovës” për këtë rast.

Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët nga data 23 deri më 26 shtator 2024.

Në njoftim thuhet se kjo masë është marrë për arsye sigurie dhe për të garantuar ruajtjen e paqes, përcjell teve1.info

Përfaqësuesit e Kishës kanë theksuar se qetësia dhe siguria janë prioritet në këtë periudhë, duke shtuar se manastiri ka rëndësi të veçantë për komunitetin fetar dhe kulturor në zonë.

“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit njofton publikun se Manastiri i Shën Arqidhjakonit dhe Protomartirit Stefan në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të siguruar ruajtjen e paqes, që aktualisht është me rëndësi të madhe për manastirin”, thuhet në njoftim

Policia e Kosovës rrit prezencën në veri

​TËVË1 disa ditë më herët ka raportuar se janë shtuar masat e sigurisë nga institucionet e vendit por edhe atyre ndërkombëtare, KFOR dhe EULEX.

Ndërsa të shtunën deri sa qëndroi ekipi i televizionit, pjesët afër kufirit me Serbinë monitoroheshin edhe nga helikopterët e KFOR-it ndërsa, Policia e Kosovës ka rritur vigjilencën në katër komunat veriore, duke patrulluar edhe në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Related posts

OBSH-ja ngre alarmin për një epidemi që po përhapet me shpejtësi

RTI

Hamasi thotë se nuk ka marrëveshje pa tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe kthimin e të zhvendosurve

RTI

Turqia vazhdon të dërgojë ndihma humanitare në Libi pas përmbytjeve

admin