Lufta gjenocidale në Rripin e Gazës ka çuar në një ri-vlerësim global të qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj pushtimit izraelit të Palestinës. Shumë vende, dikur të lidhura me Tel Avivin, tani po kalojnë drejt një qasje më kritike, ndërkohë që shtohen thirrjet për ta mbajtur Izraelin përgjegjës për veprimet e tij në territoret e pushtuara palestineze.
Që nga 7 tetori, disa vende e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke ripërtërirë angazhimin e tyre për një zgjidhje me dy shtete. Këto vende gjithashtu kanë marrë një qëndrim të unifikuar kundër pushtimit të paligjshëm të tokës palestineze nga Izraeli.
Sipas analistit palestinezo-amerikan, Ramzy Baroud, i cili foli për Anadolu përmes një video-interviste, solidariteti global me kauzën palestineze është intensifikuar në mënyrë dramatike mes konfliktit të vazhdueshëm.
“Mbështetja ndërkombëtare për Palestinën dhe palestinezët është rritur në mënyrë eksponenciale që nga 7 tetori”, thekson Baroud.
Solidariteti në rritje
Baroud thekson se lëvizja e solidaritetit për palestinezët nuk filloi më 7 tetor, por përkundrazi ajo ishte kulmi i themeleve të hedhura prej vitesh nga organizatat bazë në mbarë botën.
“Ka pasur shumë punë edukative, shumë ‘punë në këmbë’ që janë bërë më parë. Rezistenca e popullit palestinez dhe qëndrueshmëria e tij nga njëra anë dhe shkalla e kriminalitetit të Izraelit nga ana tjetër, e lejoi lëvizjen të rritet në aspektin e numrave për të arritur audienca të reja, platforma të reja”, shpjegon Baroud.
Pavarësisht përpjekjeve të mediave kryesore perëndimore, sipas tij për të bllokuar narrativën palestineze dhe normalizimin e veprimeve të Izraelit në Gaza, lëvizja e solidaritetit ka vazhduar të zgjerohet, kryesisht për shkak të fuqisë së mediave sociale.
“Njerëzit e zakonshëm, kudo në botë, u bënë qytetarë gazetarë”, thotë ai, duke theksuar se ndikues të shumtë, secili duke arritur breza dhe demografi të ndryshme, kanë ndihmuar në përhapjen e mesazhit.
Në ditët e para të luftës, thekson ai, narrativa izraelite përfitoi nga pretendimet e rreme se palestinezët kishin kryer mizori të tmerrshme gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor. Por, sipas Baroud, këto pretendime fillestare përfundimisht u zbërthyen.
“Ka kaq shumë hetues të mirë atje, ka kaq shumë njerëz inteligjentë që nuk blejnë propagandën izraelite”, shprehet Baroud, duke shtuar se në kundërshtim të kësaj mediat kryesore u “futën me padurim në propagandën izraelite”.
Vendet që hapërojnë përpara në mbështetje të Palestinës
Me më shumë se 146 vende që tani e njohin shtetin e Palestinës, Baroud e konsideron këtë si një moment kyç në përgjigjen globale ndaj konfliktit.
“Ushtarë të rinj të së vërtetës po dalin në plan të parë, duke treguar historinë pa pasur nevojë të kalojnë nëpër filtrat e mediave perëndimore e kështu me radhë, duke krijuar hapësirën për vende si Norvegjia, Irlanda, Spanja e të tjera që të hapërojnë përpara dhe të thonë ‘ne jemi gati të bëjmë një lëvizje shtesë’ në solidaritet me palestinezët”, shprehet Baroud.
Ai e krahason këtë ndryshim me rënien e aparteidit në Afrikën e Jugut, ku konsensusi ndërkombëtar gradualisht u kthye kundër regjimit shtypës.
“E njëjta gjë po ndodh në Palestinë, jo aq shpejt për ne, por këto janë rregullat e lojës. Gjithçka që Izraeli është përpjekur të bëjë, që është margjinalizimi i plotë i çështjes palestineze, ka dështuar. Dhe kauza palestineze është tani një çështje qendrore, një çështje qendrore në politikën ndërkombëtare, në solidaritetin botëror”, thotë Baroud.
Roli i rezolutave të OKB-së
Më tej, Baroud përmend gjithashtu rëndësinë e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që bën thirrje për t’i dhënë fund pushtimit izraelit brenda një viti.
“Për herë të parë në histori, ne në fakt kemi një datë. Brenda një viti nga miratimi i kësaj rezolute, Izraeli duhet t’i japë fund pushtimit të tij”, thekson ai.
Baroud pranoi se vetëm një rezolutë e OKB-së nuk do ta ndryshonte menjëherë realitetin në terren, por tha se pushtimi i Izraelit nuk mund të injorohet më nga komuniteti ndërkombëtar.
“Ajo që Izraeli u përpoq të bënte është të injorojë plotësisht se ekziston një gjë e tillë si një pushtim i huaj. Pra, kur komuniteti ndërkombëtar kthehet dhe thotë ‘dëgjoni, kjo është e pavlefshme’. Izraeli, të gjithë kolonët do të duhet të largohen, të gjitha vendbanimet do të duhet të hiqen. Gjithçka që Izraeli ka bërë, jo vetëm në Bregun Perëndimor, por edhe në Kudsin Lindor dhe në Gaza, është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar”, shpjegon ai.
Baroud gjithashtu tha se mbështetja dërrmuese ndërkombëtare pas kësaj rezolute përfaqëson një humbje të madhe për Izraelin, si politikisht ashtu edhe strategjikisht.
Ndërkaq, analisti politik Omar Shaban i bëri jehonë kësaj ndjenje, duke vlerësuar dhe duke njohur rëndësinë e këtyre zhvillimeve ligjore ndërkombëtare, por duke shprehur zhgënjimin për mungesën e veprimeve konkrete.
“Këto institucione janë krijuar për të parandaluar gjenocidin, por nuk e kanë ndalur atë”, thotë Shaban, duke shtuar se megjithëse vendimet janë të rëndësishme, “ne jemi krejtësisht të zhgënjyer nga mungesa e veprimit”.
Urdhër-arrestet dhe përgjegjësia
Më tej, duke folur për urdhër-arrestet e mundshme për udhëheqësit izraelitë, Baroud thotë se po të ndërmerrte një veprim të tillë Gjykata Ndërkombëtare Penale, kjo do të ndryshonte lojën.
“Nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale vendos të lëshojë urdhër-arreste për Netanyahu-n, Yoav Gallant-in dhe të tjerët, kjo do të ndryshojë lojën”, thotë Baroud.
Një veprim i tillë, argumentoi ai, do të ishte masa e parë e kësaj natyre që është “praktike dhe detyruese” dhe do të përforconte idenë se Izraeli po bëhet një shtet i pafavorshëm për shkak të shkeljeve të përsëritura të ligjit ndërkombëtar.
Një thirrje për unitet
Shaban, themeluesi i organizatës jofitimprurëse ‘Pal-Think për Studime Strategjike’, shprehu shpresën se mbështetja në rritje ndërkombëtare për Palestinën do të përkthehej në rezultate të prekshme. Ai gjithashtu u bëri thirrje fraksioneve palestineze të bashkohen përballë agresionit izraelit.
“Ndarja duhet të kapërcehet nga Hamasi palestinez dhe Autoriteti Palestinez, ndërsa Fatah dhe të gjitha fraksionet politike duhet të kuptojnë urgjencën dhe nevojën për t’u bashkuar”, konsideron Shaban, duke theksuar nevojën për një “udhërrëfyes palestinez për të forcuar pozicionin tonë”.
Për komunitetin ndërkombëtar, mesazhi i tij ishte i qartë, siç theksoi ai, “duhet ta ndalojmë luftën”.
“Ne kemi nevojë për njerëzit që u larguan nga Gaza për shkak të luftës, që ata të kthehen. Ne kemi nevojë që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë dhe të bëjë presion ndaj Izraelit që të ndalojë agresionin e tij dhe të tërhiqet”, shprehet ai.
Siç theksoi ai, “Izraeli është një fuqi pushtuese”.
“Jetojmë nën pushtim dhe pushtimi është kundër të gjithë ligjit ndërkombëtar. Në parim, bota e di se çfarë nevojitet. Ajo që i duhet botës është të marrë vendimin për të pasur vullnetin për të bërë atë që ata e dinë se duhet të bëjnë”, thekson Shaban.