RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia: Sulmet ndaj anijeve cisternë në Detin e Zi “meritojnë dënim”

rusia:-sulmet-ndaj-anijeve-cisterne-ne-detin-e-zi-“meritojne-denim”

Zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Vershinin ka deklaruar se sulmet ndaj anijeve brenda zonës ekskluzive ekonomike të Turqisë “meritojnë dënim”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për kanalin televiziv RTVI, Vershinin i kritikoi sulmet duke i quajtur “të papranueshme”.

“Ne i cilësojmë ato si sulme terroriste, të cilat natyrisht meritojnë dënim. Për mua është e vështirë të parashikoj se si kjo do të ndikojë në qëndrimet e vendeve të tjera, veçanërisht Turqisë, me të cilën kemi marrëdhënie të mira dhe miqësore”, tha Vershinin.

Ai shprehu dyshime se incidentet do të zvogëlojnë potencialin ndërmjetësues të Ankarasë, duke theksuar se Rusia e “vlerëson shumë” këtë, gjë e cila dëshmohet nga tre raundet e fundit të negociatave të mbajtura në Stamboll.

“Me të vërtetë, ata tashmë kanë shprehur shqetësim të madh për atë që ndodhi në zonën e tyre ekonomike dhe unë besoj se këto ndjenja shqetësimi janë plotësisht të justifikuara. Në mënyrë natyrale, ne mbështesim kërkimin e një zgjidhjeje dhe kundërshtojmë dërgimin e armëve në zonën e konfliktit, pasi ky faktor është destabilizues për ne”, tha Vershinin.

Ai shtoi se veprime të tilla bien ndesh me përpjekjet për të gjetur zgjidhje që adreson shkaqet bazë të konfliktit. Deklarata pason tre incidente të ndodhura në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit.

Më 2 dhjetor, anija ruse “Midvolga 2” u sulmua nga një dron 80 milje detare larg bregut turk, duke pësuar dëme të vogla. Më herët, më 28 nëntor, cisternat “Kairos” dhe “Virat” u sulmuan 28 dhe 38 milje detare larg bregut turk, përkatësisht, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime në trupin e anijeve.

Më 1 dhjetor, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se sulme të tilla përfaqësojnë përshkallëzim alarmues dhe nuk mund të justifikohen.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova i dënoi ashpër sulmet duke i quajtur “akte terroriste”, duke shtuar se shërbimet ukrainase të inteligjencës në mënyrë efektive kishin marrë përgjegjësinë duke publikuar video të incidenteve.

Related posts

Dy fëmijë midis 9 të vrarëve në sulmet ajrore izraelite në Liban

Irfan Jahiu

Erdoğan për CNN International: Populli turk do të dëshmojë fuqinë e demokracisë turke

Muhamet Ramadani

Peshkaqenët testohen për drogë dhe rezultojnë pozitivë, zbulohen nivele të larta kokaine në trupin e tyre! Ja arsyeja e fenomenit

admin