RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Forumi i Dohas 2025 fillon në kryeqytetin e Katarit

forumi-i-dohas-2025-fillon-ne-kryeqytetin-e-katarit

Edicioni i 23-të i Forumit të Dohas ka filluar në kryeqytetin e Katarit nën temën “Drejtësia në veprim: Përtej premtimeve për progres”, raporton Anadolu.

Duke folur në seancën e hapjes, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha se bota po dëshmon “pengesa serioze” në drejtësi, sundimin e ligjit dhe llogaridhënie.

“Në shumë raste drejtësia është bërë e padukshme në rrugën e së drejtës ndërkombëtare”, tha Sheikh Mohammed, duke shtuar se mekanizmat e dobësuar ligjor kanë thelluar krizat globale.

Sheikh Mohammed, i cili gjithashtu është ministër i jashtëm, tha se konfliktet dhe emergjencat humanitare të sotme janë të rrënjosura në një “kulturë të pandëshkueshmërisë”, duke e vendosur botën “në një cikël të paparë krizash”.

Ai tha se Katari e konsideron ndërmjetësimin jo si një opsion diplomatik, por si një politikë thelbësore shtetërore.

“Ndërmjetësimi për ne nuk është një luks politik, por një metodë e rrënjosur thellë dhe e qëndrueshme”, tha ai.

Ai bëri thirrje për rivendosjen e besimit në rendin ligjor ndërkombëtar, duke theksuar se bota ka nevojë për një sistem të drejtë.

Sfidat rajonale, shtoi ai, nuk mund të ndahen nga rënia globale e respektimit të normave ndërkombëtare.

Ngjarja 2-ditore bashkon liderë global, përfshirë presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, kryediplomatin spanjoll, Jose Manuel Albares, presidentin dhe shefin ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botërore, Borge Brende, ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton dhe ish-shefin ekzekutiv të kompanisë Microsoft, Bill Gates.

Anadolu është partneri global i komunikimit i ngjarjes.

Programi i vitit 2025, i zhvilluar me grupe ekspertësh dhe institucione kërkimore globale, përmban seanca si “Llogaridhënie për Gazën: Ri-rregullimi i përgjegjësive globale dhe rrugëve drejt paqes”, “Marrëdhëniet midis Gjirit dhe BE-së në epokën e izolimit strategjik”, “Inteligjenca artificiale si shpatë me dy tehe: Strategjia për përdorim të përgjegjshëm në fushën ushtarake” dhe “Marrëdhëniet SHBA-Kinë: Lundrimi në rreziqet dhe mundësitë e një rendi global në ndryshim”.

Edicioni më i fundit i forumit, i mbajtur në dhjetor të vitit 2024, nën temën “Imperativi i inovacionit”, mirëpriti më shumë se 5 mijë pjesëmarrës, përfshirë mbi 350 folës.

Related posts

Në Kosovë qarkullojnë tri lloje të gripave

Muhamet Ramadani

OKB dënon sulmin ajror në Sudan ku humbën jetën 22 persona

Muhamet Ramadani

Përfundon seanca ndaj të arrestuarve për sulmin në veri

Muhamet Ramadani