Gjermania zotëron rreth 3,350 tonë ar, duke u renditur e dyta në botë pas SHBA-së. Sipas vlerësimeve aktuale, rezervat e Bundesbankut kapin vlerën rreth 440 miliardë euro, për shkak të rritjes së çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare.
Ekonomisti Marcel Fratzscher nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) ka propozuar që një pjesë e këtyre rezervave të shitet, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët dhe bizneset, si dhe për investime në arsim dhe infrastrukturë.
Rreth një e treta e arit gjerman ndodhet në SHBA, ndërsa pjesa tjetër ruhet në Gjermani dhe Britani të Madhe.
Ky sistem depozitimi ka rrënjë historike që nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore dhe sistemi Bretton Woods.
Propozimi ka nxitur debat politik në Gjermani. Disa zëra kërkojnë edhe kthimin e plotë të arit në vend, ndërsa partitë kryesore politike dhe Bundesbank e konsiderojnë rezervën si garanci të rëndësishme për stabilitetin ekonomik dhe kundërshtojnë shitjen e saj.
Debati vazhdon, ndërsa autoritetet financiare nuk kanë sinjale për ndryshim të politikës aktuale mbi rezervat e arit.

