Një studim i ri shkencor ka zbuluar se përdorimi i solarëve (për nxirje artificiale) nuk kufizohet vetëm në errësimin e lëkurës, por e ndryshon atë në nivel molekular, duke shkaktuar mutacione të ADN-së të lidhura me melanomën – forma më agresive e kancerit të lëkurës, sipas “La Repubblica”.
Studimi është publikuar në revistën shkencore “Science Advances” dhe është realizuar nga një ekip kërkimor i Universitetit Northwestern dhe Universitetit të Kalifornias, në San Francisko.
Çfarë zbuloi studimi?
Sipas kërkimit, rrezatimi ultravjollcë nga solarët shkakton dëmtime të ADN-së në pothuajse të gjithë sipërfaqen e lëkurës, një efekt shumë më i përhapur sesa ai i ekspozimit natyror ndaj diellit.
Shkencëtarët analizuan mbi 32 000 pacientë dermatologjikë – si dhe kryen sekuencim gjenetik në nivel qelizor mbi mostra të lëkurës .
Rezultatet treguan se qelizat e lëkurës tek përdoruesit e solarëve kishin gati dyfish më shumë mutacione se tek ata që nuk i përdorin ato.
Këto mutacione shfaqeshin edhe në zona të trupit që zakonisht nuk ekspozohen ndaj diellit.
Dëmtimet përfshinin mutacione specifike që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e melanomës.
Kush e drejtoi kërkimin?
Studimi u drejtua nga shkencëtarë të fushës së dermatologjisë dhe biologjisë së kancerit, përfshirë, A. Hunter Shain, profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF) dhe Bishal Tandukar, bashkëautor kryesor.
Ata theksojnë se dëmi i shkaktuar nga rrezatimi UV artificial është i pakthyeshëm.
“Nuk mund të kthejmë pas një mutacion pasi ndodh, ndaj është thelbësore të kufizohet akumulimi i tyre”, thanë studiuesit.
Rreziku i melanomës rritet ndjeshëm
Studimi tregon se përdorimi i solarëve lidhet me: rritje gati trefish të rrezikut për melanomë; shfaqje të kancerit në zona të pazakonta të trupit dhe akumulim të dëmeve gjenetike që zakonisht shihen tek persona shumë më të moshuar.
Pse solarët konsiderohen kaq të rrezikshëm?
Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikon solarët si kancerogjenë të Grupit 1, në të njëjtën kategori me: duhanin dhe asbestin (material natyror mineral i përbërë nga fibra shumë të holla dhe të forta, që janë rezistente ndaj nxehtësisë, zjarrit dhe kimikateve).
Kjo pasi rrezatimi UV artificial depërton thellë në lëkurë; dëmton drejtpërdrejt ADN-në; krijon mutacione që mund të çojnë në zhvillimin e kancerit
Studimi konfirmon për herë të parë në nivel molekular se solarët jo vetëm rrisin rrezikun për kancer të lëkurës, por shkaktojnë një dëmtim të përhapur dhe të qëndrueshëm në ADN, duke e bërë ekspozimin ndaj tyre një rrezik serioz për shëndetin.
Ekspertët theksojnë se shmangia e rrezatimit UV artificial, mbetet një nga mënyrat më efektive për të parandaluar melanomën dhe dëmtimet afatgjata të lëkurës.

