Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli po thellojnë bashkëpunimin e tyre në një moment kur lufta me Iranin po riformëson aleancat në Lindjen e Mesme. Vendosja e sistemit “Iron Dome” në Emirate dhe koordinimi i sigurisë mes dy vendeve tregon një afrim të paprecedentë mes tyre. Ndërkohë, Abu Dhabi po distancohet gjithnjë e më shumë nga disa aleatë tradicionalë rajonalë dhe po e rishikon rolin e tij në organizatat ndërkombëtare
Nga pothuajse çdo vend tjetër, përgjigjja do të kishte qenë “jo” e prerë. Por kur Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën me sulme të vazhdueshme iraniane gjatë luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Teheranit, Izraeli pranoi të çonte një nga sistemet e tij më të ndjeshme ushtarake.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, sipas raportimeve, urdhëroi fshehurazi ushtrinë izraelite të dërgonte një bateri penguese të sistemit “Iron Dome” – së bashku me ushtarët për ta operuar – në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një telefonate me presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Veprimi sinjalizon se sa shumë janë afruar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Tani, teksa Emiratet po distancohen nga aleatët e tyre tradicionalë për shkak të qëndrimit të tyre ndaj luftës me Iranin, Izraeli po e sheh një mundësi të paprecedentë për t’i forcuar më tej marrëdhëniet, sipas disa zyrtarëve izraelitë.
Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat në vitin 2020 u bënë vendi i parë arab pas 26 vjetësh që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin përmes Marrëveshjeve të Abrahamit, kanë deklaruar se lufta me Iranin mund të riformësojë aleancat e tyre rajonale.
Sipas tyre, ka zhgënjim me disa nga aleatët e tyre më të afërt arabë. Abu Dhabi, sipas zyrtarëve izraelitë, dëshiron të afrohet më shumë me Izraelin dhe me vende që e mbështetën gjatë luftës, përfshirë Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Mes zhvillimeve të kufizuara pozitive që dolën nga lufta me Iranin, kjo marrëdhënie me Abu Dhabin bie në sy si ‘lajm i mirë’”, ka thënë një burim izraelit, në njohuri për raportet e reja me Emiratet, për CNN-in, duke shtuar se marrëdhëniet kanë arritur një nivel të ri, edhe në nivel udhëheqësish.
Zyrtarë të Emirateve dhe analistë të lidhur me shtetin kanë bërë së fundmi kritika të rralla publike ndaj vendeve arabe, duke i akuzuar se nuk kanë reaguar mjaftueshëm gjatë sulmeve iraniane.
Këshilltari i presidentit të Emirateve, Anwar Gargash, ka thënë në një konferencë në Dubai se qëndrimi i vendeve të tjera të Gjirit ishte “historikisht më i dobëti”.
“E prisja nga Liga Arabe dhe nuk jam i befasuar”, ka thënë ai, duke iu referuar organizatës me 22 shtete arabe. “Por nuk e prisja nga vendet e Gjirit dhe jam i habitur”.
Teksa kritikat shtoheshin se Izraeli dhe SHBA-ja kishin përfshirë Gjirin në një luftë që shumica e vendeve të rajonit nuk e donin, Gargash ka theksuar nevojën për marrëdhënie me të dyja palët, duke i thënë CNN-it se “ndikimi izraelit do të bëhet më i madh në Gjirin Persik dhe jo më i vogël”.
Një burim diplomatik izraelit ka thënë se “Izraeli nuk e kishte parashikuar këtë afërsi kur u nënshkruan Marrëveshjet e Abrahamit”, duke iu referuar thellimit të bashkëpunimit ushtarak.
“Lufta solli një afrim të paprecedent, i nxitur nga ndjenja e një fati të përbashkët – të dyja vendet u sulmuan dhe kanë një armik të përbashkët”, ka thënë një tjetër zyrtar izraelit. “Kjo do të reflektohet patjetër në zgjerimin e marrëdhënieve në të ardhmen”.
Këtë javë, Emiratet u tërhoqën nga OPEC-u (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) pas gati gjashtë dekadash anëtarësimi. I pyetur nga CNN-i nëse Arabia Saudite ishte konsultuar, ministri i Energjisë Suhail Al Mazrouei ka thënë se ishte një “vendim sovran kombëtar”.
Ekspertët thonë se edhe pse Emiratet ishin ndjerë të kufizuara nga organizata dhe kishin kohë që po mendonin largimin, kishin qëndruar për shkak të respektit ndaj Arabisë Saudite.
Zyrtari izraelit e ka interpretuar largimin e Emirateve nga OPEC si shenjë të distancës në rritje nga qëndrimet tradicionale të Gjirit dhe afrimit më të madh me Izraelin dhe SHBA-në.
“Kjo rrit distancën e Emirateve nga politika tradicionale e Gjirit dhe i transformon ata në diçka krejtësisht ndryshe në rajon dhe për Izraelin”, ka thënë ai, duke shtuar se Emiratet “u gjendën të vetmuara – dhe Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ishin aty për ta”.
Dislokimi i parë izraelit në një shtet arab
Vendosja e fshehtë e sistemit të avancuar izraelit të mbrojtjes ajrore “Iron Dome” në Emiratet e Bashkuara Arabe tregon thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ka thënë për CNN një burim izraelit i njohur me çështjen, duke konfirmuar një raport të agjencisë “Axios”. Sipas këtij burimi, sistemi u dërgua gjatë luftës me Iranin.
Kjo shënon rast të paprecedentë të vendosjes së trupave izraelite në një shtet arab dhe hera e parë që Izraeli vendos sistemin “Iron Dome” jashtë kufijve të tij, madje në një kohë kur vetë vendi po përballej me sulme të rënda nga Irani. Zyrtarët izraelitë thonë se lufta ka çuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes dy vendeve në nivele të papara më parë.
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë qëndrim të përbashkët se islami radikal është kërcënimi kryesor, ka thënë burimi, duke shtuar se Izraeli “i ka mbështetur gjithashtu Emiratet në tensionet e tyre me Arabinë Saudite për rajonin e Bririt të Afrikës”.
Izraeli më herët pati lidhur disa marrëveshje për shitjen e sistemit “Iron Dome” jashtë vendit, por kjo del të jetë hera e parë që ai është dislokuar në një shtet tjetër dhe është përdorur në mënyrë operative. Sipas “Axiosit”, sistemi ka ndalur dhjetëra raketa iraniane gjatë luftës.
Kjo nuk është hera e parë që Izraeli i ka ofruar Emirateve sisteme të mbrojtjes ajrore. Sipas dy burimeve të tjera, në vitin 2022, pasi rebelët Houthi nga Jemeni lëshuan raketa drejt Abu Dhabit duke vrarë tre persona – një sulm që zyrtarët e Emirateve e quajtën “11 shtatori” i vendit – Izraeli transferoi një bateri të sistemit “Barak-8” pas një kërkese nga presidenti i Emirateve, Mohammed bin Zayed, drejtuar atëherë kryeministrit izraelit Naftali Bennett.
Nuk është e qartë nëse këto sisteme ndodhen ende në Emirate.
Yoel Guzansky, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv dhe ish-zyrtar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, ka thënë se Emiratet janë tashmë ndër vendet më të afërta me Izraelin. “Nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë. Ka turizëm, shkencë, investime dhe tregti. Nuk ka asnjë vend arab më të afërt”, u shpreh ai, duke përmendur edhe vendimin e Emirateve për të mbajtur ambasadorin në Tel-Aviv dhe për të vazhduar fluturimet gjatë luftës në Gaza. Ai ka shtuar se për këtë arsye Emiratet ka të ngjarë të jenë shënjestruar më shumë nga Irani.
“Në këtë kuptim, Emiratet po paguajnë çmimin për këtë marrëdhënie”, ka thënë ai.
Megjithatë, lufta ka treguar edhe kufijtë e mbështetjes izraelite, pasi Izraeli përpiqet të balancojë dëshirën për të forcuar lidhjet me shtetet e Gjirit me nevojat e veta të sigurisë. Një burim izraelit i sigurisë i ka thënë CNN-it se Izraeli është detyruar të refuzojë një kërkesë nga Abu Dhabi për më shumë bateri “Iron Dome”. “Çdo bateri e vendosur atje do të thotë një më pak për mbrojtjen tonë ajrore”, ka deklaruar zyrtari.
Nga ana tjetër, Emiratet ndihmojnë Izraelin me inteligjencë sinjalistike, ka shtuar burimi. Ky furnizim përfshin kapjen dhe analizimin e sinjaleve elektronike – kryesisht komunikimeve dhe emetimeve të tjera – nga njerëz, sisteme ose pajisje.
Emiratet e Bashkuara Arabe “kanë tejkaluar rajonin”
Në orët para se Emiratet e Bashkuara Arabe të njoftonin të martën se do të tërhiqeshin nga OPEC-u, rrjetet sociale në vend ishin të mbushura me spekulime se një vendim i madh ishte i afërt. Një takim i paplanifikuar i liderëve të Gjirit atë ditë në Arabinë Saudite shtoi edhe më shumë zërat se Abu Dhabi po përgatitej të largohej nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), bllok me seli në Arabinë Saudite që përfshin gjashtë monarki të Gjirit. Por kjo nuk ndodhi.
Që atëherë, spekulimet janë përqendruar në mundësinë që Emiratet të tërhiqen edhe nga organizata të tjera shumëpalëshe, përfshirë Ligën Arabe me seli në Kajro dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik me seli në Riad, ku Abu Dhabi ka qenë anëtare prej dekadash.
Monitoruesit kanë thënë se Emiratet kanë filluar të ndihen gjithnjë e më të distancuara nga fqinjët arabë edhe para luftës dhe se konflikti vetëm e ka përshpejtuar këtë largim.
“Emiratet nuk e kishin kuptuar sa shumë e kishin tejkaluar rajonin”, ka thënë Tareq Alotaiba, studiues në nismën për Lindjen e Mesme në Qendrën Belfer të Universitetit të Harvardit, për CNN. Ai ka përmendur “kompleksitetin” e vendit, që sipas tij është më i afërt me shtetet perëndimore dhe aziatike sesa me fqinjësinë e tij. “Është logjike të mendohet se, pasi Emiratet të rishikojnë marrëdhëniet e tyre, do të dalin në pah aleatët e vërtetë dhe prioritetet kryesore”.
Për momentin, Emiratet nuk po shqyrtojnë tërheqje të tjera nga organizata shumëpalëshe, ka thënë një zyrtar për CNN-in të mërkurën. Abu Dhabi po rishikon “rëndësinë dhe dobishmërinë e rolit dhe kontributit të tij” në disa organizata, por “nuk po konsideron asnjë tërheqje”, ka përfunduar ai.
Përktheu: Blerta Haxhiu/koha

