Sipas një zyrtari të lartë të Pentagonit, bllokada detare e SHBA-së që synon dërgesat iraniane të naftës i ka kushtuar Teheranit rreth 4.8 miliardë dollarë të ardhura të humbura, transmeton Anadolu.
Bllokada, e vendosur më 13 prill në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit, është pjesë e presionit të urdhëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, mes negociatave të ngecura me Iranin.
“Bllokada e SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit po funksionon me forcë të plotë dhe po jep ndikimin vendimtar që kemi synuar. Ne po i shkaktojmë një goditje shkatërruese aftësisë së regjimit iranian për të financuar terrorizmin dhe destabilizimin rajonal”, tha zëdhënësi i përkohshëm i Pentagonit, Joel Valdez,
Sipas raportit nga Axios, Valdez tha se “forcat tona të armatosura në rajon do të vazhdojnë të mbajnë këtë presion të pandërprerë”.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane kanë kthyer mbrapsht 45 anije tregtare që nga fillimi i operacionit. Irani njëkohësisht ka kufizuar kalimin në ngushticë, ndërsa forcat amerikane kanë ndërhyrë në trafikun detar në Gjirin e Omanit.
Trump gjithashtu njoftoi Kongresin se një armëpushim me Iranin zgjat afatin kohor të lidhur me Aktin e Fuqive të Luftës pas fillimit të konfliktit më 28 shkurt. Ai u informua të enjten nga komandanti i CENTCOM-it, Brad Cooper dhe kryetari i Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, mbi opsionet ushtarake.
“Ka opsione. A duam të shkojmë dhe t’i godasim fort dhe t’i përfundojmë plotësisht apo duam të përpiqemi të bëjmë një marrëveshje?”, u shpreh Trump dje për gazetarët, duke shtuar se preferon një zgjidhje me negociata.

