Pse kauza qytetare nuk ka më nevojë për tellallët e tezave ogurzeza të Edi Ramës
A mundet që një aktivist veteran, i vetëshpallur si mbrojtës i natyrës dhe i njohur rëndom si “protestuesi me plis”, të kthehet brenda natës në zëdhënësin më të zellshëm të pushtetit që pretendon se lufton?
Deklaratat e fundit të Arben Kolës nuk lënë shumë vend për dyshim, por ngrenë një alarm të madh për fatin e reagimit qytetar në Shqipëri.
Kur njerëzit që marrin përsipër njoftimin e policisë dhe organizimin e përditshëm të protestës fillojnë e flasin me gjuhën e Kryeministrit, kauza nuk po udhëhiqet, por po sabotohet.
Me deklaratën e tij të fundit mbi “infiltrime të huaja”, Kola po bën ekzaktësisht tellallin e tezave ogurzeza të Edi Ramës. Në këtë kapërcim kaq të rëndë logjik dhe moral, për opinionin publik ekzistojnë vetëm dy mundësi.
E para, ai e bën këtë sepse aq është niveli i tij mendor dhe aq arrin të kuptojë nga gjeopolitika.
E dyta, dhe më e rrezikshmja, ai po vetëdemaskohet hapur në misionin e tij si një “Kolonë e Pestë” apo një “Kalë Troje” i infiltruar brenda protestës për ta asgjësuar atë nga brenda.
Përtej agjenturave: teza e ndyrë e përçarjes fetare
Nëse riciklimi i teorive konspirative me shërbime sekrete greke, serbe, turko apo iraniane është thjesht një strategji bajate për të frikësuar dhe relativizuar revoltën e pastër ekonomike e shoqërore, Kola ka hedhur një hap edhe më të rrezikshëm.
Ai është bërë zëdhënës i një teze të ndyrë që synon direkt përçarjen fetare të shqiptarëve. Duke skicuar hije dhe “linja fetare” imagjinare mes protestuesve, ai po përpiqet të nxisë pa asnjë arsye islamofobi në një shesh, ku njerëzit janë bashkuar për bukën e gojës dhe dinjitetin, pa dallim besimi.
Dhe këtë axhendë të mbrapshtë ai e bën dukshëm nga pozitat e një të krishteri radikal, të cilit duket se i neveritet bashkëjetesa dhe harmonia paqësore fetare – ajo pasuri unike për të cilën shqiptarët janë shquar përherë në Evropë dhe në botë.
Misioni i dështuar i një pseudo-aktivisti
Nuk mund të ketë “atdhedashuri” – siç pretendon Kola në fjalimet e tij më shumë se sa modeste – kur me apo pa vetëdije, ushqen narrativën e pushtetit që i quan protestuesit “agjentë” dhe “të paguar”.
Kauzat legjitime të këtij vendi nuk mund të merren peng nga ata që plisin e përdorin për folklorizëm patriotik, ndërsa gjuhën e përdorin për të mbjellë përçarje fetare dhe dasi absurde.
Sot, më shumë se kurrë, protesta qytetare ka nevojë të pastrohet nga këta personazhe.
Fryma e qëndresës nuk ka më asnjë sekondë kohë për të humbur me deklarata që përçajnë popullin dhe i bëjnë shërbimin më së miri jo vetëm propagandës së qeverisë, por mbi të gjitha “ustallarëve” që ka pas shpine Ei Rama, të cilët duker se e kanë kapur peng dhe i diktojnë çdo lëvizje. tesheshi

