RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Hoxha, protesta dhe tundimi për t’i mbyllur gojën qytetarit

hoxha,-protesta-dhe-tundimi-per-t’i-mbyllur-gojen-qytetarit

Një kryeministri që i duhet kujtuar Ibrahim Dalliu, Gjergj Fishta, vetë Papa…

Deklarata e kryeministrit Edi Rama drejtuar një hoxheje – “Ç’punë ke ti me protestën? Mos bëj punën e shejtanit, vendin e ke në xhami” – ngre një pyetje shumë më të rëndësishme sesa vetë protesta: kush vendos se ku mbaron e drejta e një qytetari për të folur?

Një hoxhë është, para së gjithash, qytetar i Republikës së Shqipërisë. Ai gëzon të njëjtat të drejta kushtetuese si çdo shqiptar tjetër: të drejtën e fjalës, të mendimit, të ndërgjegjes dhe të pjesëmarrjes në jetën publike. Fakti që ai është imam, mësues apo prijës fetar nuk e privon nga këto të drejta. Përkundrazi, i jep një përgjegjësi shtesë morale për t’u shprehur kur mendon se shoqëria po përballet me padrejtësi, korrupsion, varfëri apo probleme të tjera që prekin njerëzit.

Nëse një hoxhë nuk mund të flasë për hallet e shoqërisë, atëherë për çfarë duhet të flasë? Vetëm për ritualet? Vetëm për muret e xhamisë? Besimi fetar nuk është izolim nga realiteti. Ai është edhe ndërgjegje morale përballë tij.

Në fakt, një nga problemet e shoqërisë sonë sot është pikërisht mungesa e zërave moralë që guxojnë të denoncojnë të keqen. Shpesh kemi kërkuar më shumë angazhim nga komunitetet fetare kundër drogës, korrupsionit, dhunës në familje, shkatërrimit të familjes, humbjes së shpresës tek të rinjtë. Por kur një prijës fetar shpreh një mendim për një çështje publike, i kërkohet të heshtë dhe të kthehet në faltore.

Kjo logjikë nuk gjendet në demokracitë që kryeministri pëlqen të marrë si model. Papa Françesku, dhe sot Papa Leoni XIV, janë shprehur vazhdimisht për luftërat, emigracionin, varfërinë, drejtësinë sociale, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera politike e shoqërore. Askush nuk i thotë Papës: “Vendin e ke në kishë”. Askush nuk i kujton kufijtë e fesë sa herë që ai ngre zërin për një problem publik.

Për fat të mirë, Edi Rama nuk është kryeministër i Italisë. Përndryshe, kush e di çfarë leksionesh do t’i jepte Vatikanit mbi ndarjen e shtetit nga feja dhe kufijtë e rolit të Kishës në shoqëri.

Por mbi të gjitha, kjo qasje bie ndesh me vetë traditën shqiptare. Shqipëria nuk është ndërtuar nga klerikë të mbyllur në faltore. Përkundrazi, ajo është ndërtuar nga prijës fetarë që dolën në sheshin e historisë kur kombi kishte nevojë për ta.

Gjergj Fishta nuk u kufizua vetëm në altar. Ai u bë zëri politik dhe kulturor i shqiptarëve. Hafiz Ali Korça nuk qëndroi i heshtur përballë sfidave kombëtare. Dom Nikollë Kaçorri ishte një nga figurat kryesore të Pavarësisë. Dhe Hafiz Ibrahim Dalliu është ndoshta një nga shembujt më domethënës.

Hafiz Dalliu nuk ishte thjesht imam. Ai ishte mësues, publicist, poet, patriot dhe aktivist. Hapi shkolla, përfshirë shkollën e parë të vajzave në Tiranë. Ishte delegat në Kongresin e Elbasanit. Dha kontribut në themelimin e Normales së Elbasanit. Shkroi kundër padrejtësive dhe mbrojti interesat kombëtare. Për këtë arsye u burgos, u përndoq dhe u persekutua nga regjime të ndryshme. Në fund e burgosi edhe regjimi komunist.

Historia e Hafiz Dalliut është historia e një kleriku që refuzoi të mbyllej në xhami kur vendi kishte nevojë për të. Ai e kuptonte se feja nuk është arratisje nga shoqëria, por përgjegjësi ndaj saj. Vetë Dalliu shprehej: “Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë njerëz që nuk mendojnë në të mirë të Atdheut, unë do të jem në opozitë.”

Po të zbatohej logjika e sotme e kryeministrit, ndoshta edhe Hafiz Dalliut do t’i thuhej: “Ç’punë ke ti me çështjet kombëtare? Vendin e ke në xhami.”

Fatmirësisht, historia shqiptare nuk është shkruar nga njerëz që heshtën kur duhej të flisnin. Është shkruar nga ata që patën guximin të flasin kur pushteti kërkonte heshtje.

Prandaj problemi nuk është që një hoxhë ka folur për një protestë. Problemi do të ishte nëse hoxhallarët, priftërinjtë, intelektualët dhe çdo qytetar tjetër do të pushonin së foluri nga frika se mos pushteti u kujton “vendin” e tyre.

Në fund të fundit, feja nuk i mëson njerëzit të heshtin përballë padrejtësisë. Përkundrazi, i nxit të bëhen zë i së mirës dhe kundërshtarë të së keqes. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; e nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, dhe kjo është shkalla më e dobët e besimit.”

Prandaj, kur një hoxhë, prift apo çdo besimtar ngre zërin për një çështje që prek shoqërinë, ai nuk po del jashtë misionit të tij. Përkundrazi, po përpiqet të përmbushë një detyrim moral e fetar që është po aq i vjetër sa vetë besimi. Në demokraci, askush nuk ka monopol mbi ndërgjegjen publike dhe askush nuk mund t’u caktojë qytetarëve kufijtë e fjalës së lirë, qoftë edhe kur ata flasin nga minberja, altari apo sheshi. /tesheshi

Related posts

Ushtria siriane bombardon pozicionet e SDF-së në Halep mes sulmeve të grupit në lagjet e banuara

RTI

Berlin, lexohen me zë të lartë emrat e 15.000 fëmijëve të vr’arë nga Iz’raeli në Ga’za

admin

Ish-kryeministri izraelit shpërthen ndaj prezantuesit televiziv britanik pas pyetjes për civilët në Gaza

admin