RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Trupat shqiptare drejt Gazës?

trupat-shqiptare-drejt-gazes?

Një lajm që kalon në heshtje mes krizës politike dhe paradokseve të një misioni paqeruajtës

Në një kohë kur debati publik në Shqipëri është i përqendruar pothuajse tërësisht te përplasjet politike të brendshme, një zhvillim me rëndësi të veçantë gjeopolitike ka kaluar pothuajse pa u vënë re.

Sipas raportimeve të Jerusalem Post, Shqipëria është ndër vendet që pritet t’i bashkohen Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, së bashku me Greqinë, një strukturë shumëkombëshe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për fazën e dytë të armëpushimit pas luftës shkatërrimtare në tokën palestineze.

Në kushte normale, lajmi se ushtarakë shqiptarë mund të përfshihen në një nga zonat më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme të botës do të duhej të ishte objekt debati publik, diskutimesh parlamentare dhe analizash strategjike.

Por në Shqipëri ai kalon pothuajse në heshtje, i mbuluar nga zhurma e politikës së ditës. Megjithatë, përtej mungesës së vëmendjes, ky zhvillim ngre pyetje serioze. Paradoksi më i madh lidhet me vetë natyrën e misionit.

Forca paraqitet si një mision paqeruajtës për stabilizimin e Gazës pas një lufte që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe shkatërrime masive. Por kritikët e shumtë pyesin: si mund të ruhet paqja në një territor ku shkatërrimi është prodhuar kryesisht nga operacionet ushtarake izraelite?

A rrezikon një forcë e tillë të shndërrohet në një mekanizëm administrimi të pasojave të luftës, pa adresuar shkaqet që e prodhuan atë? Një tjetër element që shton pasigurinë është vetë gjendja e projektit.

I ashtuquajturi “Board of Peace” ose Bordi i Paqes për Gazën, i promovuar nga administrata Trump si struktura politike mbikëqyrëse e procesit, praktikisht nuk është dëgjuar më që nga ceremonia themeluese e muajit janar.

Përtej deklaratave dhe fotografive zyrtare, nuk ka pasur zhvillime të dukshme që të tregojnë se ky mekanizëm ka arritur të krijojë një arkitekturë funksionale për të ardhmen e Gazës.

Situata është komplikuar edhe më shumë nga përshkallëzimi rajonal. Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ka ndryshuar tërësisht prioritetet strategjike në Lindjen e Mesme.

Përplasja ka krijuar një krizë të rëndë sigurie dhe energjie, duke rritur pasigurinë në gjithë rajonin dhe duke e bërë edhe më të paqartë se kur dhe si mund të vihet në jetë një projekt si ISF.

Në këtë kontekst, pyetja nuk është vetëm nëse Shqipëria do të dërgojë trupa në Gaza. Pyetja më e madhe është se në çfarë misioni do të marrin pjesë ata, me çfarë objektivash konkrete dhe në shërbim të cilit vizion politik për të ardhmen e rajonit.

Deri tani, përgjigjet mbeten të paqarta. Por fakti që këto pyetje pothuajse nuk diskutohen fare në Shqipëri mund të jetë po aq shqetësues sa vetë zhvillimi. /tesheshi

Related posts

NASA krijon një qendër për simulimin e jetës në Planetin e Kuq

admin

Turqia tërhiqet nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë

admin

Biseda e parë telefonike mes Kinës dhe Ukrainës që kur lufta filloi

admin