Kryeministri i Irakut, Ali al-Zaidi, ka deklaruar se marrëdhëniet e vendit të tij me SHBA-në po kalojnë nga një karakter ushtarak në një “partneritet ekonomik gjithëpërfshirës”, ndërsa koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit terrorist DEASH po i afrohet përfundimit të misionit të tij, transmeton Anadolu.
“Marrëdhënia me SHBA-në do të transformohet nga një partneritet ushtarak në një partneritet ekonomik”, tha Zaidi në deklaratat e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve INA.
“Pas tërheqjes së të gjitha forcave amerikane, nuk do të ketë më asnjë justifikim apo nevojë për çfarëdo forme rezistence në Irak”, shtoi ai.
Deklaratat e kryeministrit irakian vijnë përpara vizitës së tij të pritshme në SHBA muajin e ardhshëm, ku do të zhvillojë bisedime për forcimin e partneriteteve ekonomike mes dy vendeve.
Më 27 shtator të vitit 2024, Bagdadi dhe Washingtoni njoftuan se kishin arritur një marrëveshje me dy faza për t’i dhënë fund misionit të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër organizatës terroriste DEASH.
Faza e parë, e cila përfundoi në janar të këtij viti, përfshinte përfundimin e misionit ushtarak të koalicionit në Irak, tërheqjen e forcave, dorëzimin e bazave dhe kalimin drejt partneriteteve dypalëshe të sigurisë për të mbështetur forcat irakiane dhe për të ruajtur presionin ndaj grupit terrorist DEASH.
Gjatë fazës së dytë, e cila do të zgjasë deri në shtator të vitit të ardhshëm, koalicioni do të vazhdojë operacionet e tij në Siri nga lokacionet brenda Irakut.
Në një kontekst tjetër, Zaidi tha se shumica e fraksioneve në Irak tashmë kanë filluar dorëzimin e armëve të tyre tek autoritetet irakiane.
Më 3 qershor, një zëdhënës ushtarak irakian njoftoi formimin e një komisioni për vendosjen e të gjitha armëve nën kontrollin ekskluziv të shtetit.
Qeveria irakiane synon të kufizojë posedimin e armëve vetëm në duart e shtetit, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e institucioneve të sigurisë, konsolidimin e stabilitetit të brendshëm dhe shmangien e pasojave të tensioneve rajonale.

