Një tërmet me magnitudë paraprake 6,9 ka goditur brigjet e prefekturës Iwate në verilindje të Japonisë, transmeton Anadolu.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se tërmeti ndodhi në orën 07:30 me kohën lokale në Oqeanin Paqësor, rreth 42 kilometra larg qytetit bregdetar Kuji, ndërsa epiqendra e tij u regjistrua në një thellësi prej 50 kilometrash.
Agjencia tha se tërmeti fillimisht u regjistrua me intensitetin “6 të lartë” në shkallën sizmike japoneze, e cila ka nivel maksimal 7.
Alarmi për tërmetin nuk ofroi menjëherë detaje të tjera shtesë.
– Reshje të dendura godasin jugperëndimin e Japonisë
Siç raportoi NHK, reshjet e dendura vazhduan të godasin pjesën jugperëndimore të Japonisë, duke bërë që autoritetet të lëshojnë paralajmërimin më të lartë për rrëshqitje dheu në disa pjesë të rajonit Kyushu, pasi reshjet rekord shkaktuan përmbytje dhe shembje të shpateve.
Zyrtarët thanë se aeroporti Fukue në prefekturën Nagasaki regjistroi më shumë se 540 milimetra reshje gjatë 72 orëve, ndërsa një rrëshqitje dheu në qytetin Sasebo dëmtoi automjete dhe një depo, por nuk shkaktoi të lënduar.
Meteorologët paralajmëruan se reshjet e dendura mund të vazhdojnë në rajonet nga Kanto-Koshin deri në Kyushu deri të premten, me disa zona që pritet të marrin deri në 200 milimetra reshje shtesë.
Gjithashtu banorët u këshilluan të përgatiten për rritjen e nivelit të lumenjve, si dhe për përmbytje, rrufe dhe erëra të forta.
Ndërkohë, stuhia e fortë tropikale Mekkhala pritet t’i afrohet Okinawas deri të premten, duke sjellë erëra me shpejtësi deri në 108 kilometra në orë dhe rafale që mund të arrijnë 144 kilometra në orë.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të qëndrojnë vigjilentë teksa stuhia afrohet.
Përkeqësimi i motit ka shkaktuar ndërprerje në trafikun ajror, me linjat ajrore japoneze që anuluan rreth 100 fluturime të brendshme gjatë ditës së sotme dhe 140 të tjera të planifikuara për nesër, kryesisht në linjat që shërbejnë aeroportet Ishigaki, Miyako dhe Naha në Okinawa.

