RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Reuters: Vuçiqi synon postin e kryeministrit dhe vendosjen e një aleati të tij në postin e presidentit

reuters:-vuciqi-synon-postin-e-kryeministrit-dhe-vendosjen-e-nje-aleati-te-tij-ne-postin-e-presidentit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të shtunën se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh dhe se vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, pas 18 muajsh protestash antiqeveritare.

Njoftimi i Vuçiqit, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për 12 vjet, vjen në mes të protestave të vazhdueshme kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët. Demonstratat u nxitën pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të qytetit verior të Novi-Sadit në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Protestuesit, opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut pretendojnë se tragjedia në stacionin hekurudhor është dëshmi e keqmenaxhimit të projekteve ndërtimore dhe korrupsionit në qeveri.

“Do të jem president vetëm edhe për disa javë, pastaj do të jap dorëheqjen”, u tha Vuçiqi mijëra mbështetësve të tij gjatë një tubimi proqeveritar në Beograd. Mandati i tij i dytë dhe i fundit si president ishte paraparë të përfundonte në mesin e vitit 2027.

Vuçiqi tha se do të ndihmojë Partinë Progresive Serbe (SNS) të fitojë zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, të cilat fillimisht ishin planifikuar për vitin 2027.

“Propozimi im është që lista jonë, lista fituese në zgjedhjet e ardhshme, të quhet ‘Serbia e Bashkuar’“, deklaroi ai.

Ai nuk saktësoi se kur do të japë dorëheqjen dhe as kur do ta shpërndajë parlamentin, një hap i domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Dorëheqja nuk nënkupton largim nga pushteti

Analistët vlerësojnë se dorëheqja e Vuçiqit nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i ndikimit të tij politik. Nëse SNS fiton zgjedhjet parlamentare, ai mund të rikthehet në postin e kryeministrit, duke vazhduar të mbajë kontrollin mbi pushtetin.

Sipas analistit Radivoje Grujiq, me bazë në Varshavë, Vuçiq ka gjasa të vendosë një aleat në postin e presidentit, ndërsa vetë të marrë drejtimin e qeverisë.

“Kjo nuk është aspak fundi i Vuçiqit. Ai tashmë ka një plan dhe ai sigurisht nuk përfshin pensionimin nga politika – përkundrazi”, tha Grujiq.

Megjithatë, koha e shpalljes së dorëheqjes sugjeron se protestat, më të mëdhatë që nga rrëzimi i Slobodan Millosheviqit në vitin 2000, kanë pasur ndikim në këtë vendim.

Vetëm pak ditë më parë, studentët në Novi-Sad përkujtuan viktimat e tragjedisë dhe kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Një protestë tjetër studentore është paralajmëruar për të dielën në Kraljevë.

Aktivistët e lëvizjes studentore dhe opozita kanë bërë të ditur se synojnë ta sfidojnë Vuçiqin dhe SNS-në në zgjedhjet e ardhshme.

“Duke dhënë dorëheqjen dhe duke shpallur zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, Vuçiqi po përpiqet të paraprijë rënien e tij të pashmangshme, si pasojë e protestave dhe lëvizjes studentore, e cila sot gëzon më shumë mbështetje se ai”, ka thënë Savo Manojloviq, udhëheqës i lëvizjes opozitare “Lëvizja-Ndryshim”.

Vuçiqi nuk e përjashton rikthimin si kryeministër

Edhe pse posti i presidentit në Serbi është kryesisht ceremonial, Vuçiqi ka ushtruar ndikim të madh mbi partinë dhe qeverinë.

Ai më herët ka lënë të kuptohet se mund të rikthehet në postin e kryeministrit, ndërsa së fundmi disa prej aleatëve të tij më të afërt e kanë mbështetur publikisht këtë ide.

Në një intervistë për Reuters në muajin shkurt, Vuçiqi tha se ende nuk kishte vendosur se çfarë do të bënte pas përfundimit të mandatit presidencial, por nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit në politikën partiake ose marrjen e postit të kryeministrit.

“Do të doja të isha më pak i angazhuar në politikë ose aspak, por ruajtja e trashëgimisë sime politike mund të kërkojë një angazhim të caktuar. Do ta shohim”, kishte deklaruar ai.

Akuza ndaj protestuesve

Gjatë tubimit në Beograd, të mbajtur nën temperatura të larta dhe me pjesëmarrjen e mbështetësve të ardhur nga mbarë Serbia, Vuçiqi akuzoi studentët dhe protestuesit antiqeveritarë se po përpiqen të shkatërrojnë vendin dhe se po bashkëpunojnë me fuqi të huaja të paidentifikuara. Protestuesit i kanë mohuar këto akuza.

“Për herë të njëmijtë e një, ne ju zgjasim dorën. Ju falim për gjithçka që keni bërë, por nuk jemi naivë dhe nuk do ta harrojmë atë që i është bërë Serbisë gjatë vitit të kaluar”, tha ai.

Serbia mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën, një ekuilibër që Vuçiqi është përpjekur të mbajë gjatë gjithë kohës në pushtet.

Për t’u bërë pjesë e BE-së, Serbia duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Në tubimin e së shtunës, opozita akuzon Vuçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij për përdorim të dhunës ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion të përhapur, lidhje me krimin e organizuar dhe kufizim të lirisë së mediave. Vuçiqi dhe aleatët e tij i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Related posts

Rritet përqindja e njerëzve që po u shmangen lajmeve

Muhamet Ramadani

Staroviq: Rivlerësimi i gatishmërisë së forcave serbe, pas tërheqjes së Policisë së Kosovës

admin

Kurti jep detaje për krijimin e Xhandarmërisë: Do ta plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe FSK-së

Hevzi