Ushtria izraelite vrau tre palestinezë, përfshirë një fëmijë dhe plagosi të tjerë në shkeljet e fundit të armëpushimit në Gaza, ndërsa forcat e saj vazhdojnë të zgjerojnë zonat nën pushtimin e saj në territor, thanë burime mjekësore dhe dëshmitarë, transmeton Anadolu.
Burimet thanë se një sulm izraelit me dron goditi një grumbullim civilësh në rrugën Al-Baraka në Deir al-Balah në Gaza qendrore, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur të tjerë. Dy persona të tjerë u plagosën nga granatimet e artilerisë izraelite që synuan zonën Al-Salatin në Beit Lahia në Gazën veriore, shtuan burimet.
Më vete, disa automjete ushtarake izraelite përparuan në rrugën Salah al-Din në kampin e refugjatëve Nuseirat, mes të shtëna me armë zjarri dhe bombardime artilerie, thanë dëshmitarët. Automjetet izraelite lëvizën blloqe betoni që shënojnë “Vijën e Verdhë” rreth 150 metra në perëndim, duke zgjeruar zonat nën pushtimin izraelit në veri të urës “Wadi Gaza” në Gazën qendrore, shtuan ata.
Ushtria izraelite është e vendosur përgjatë asaj që njihet si “Vija e Verdhë”, një brez sigurie i vendosur nga Izraeli brenda Rripit të Gazës. Palestinezëve u ndalohet afrimi në këto zona ndërsa Izraeli zë më shumë se 70 për qind të enklavës.
Të mërkurën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria kontrollon rreth 70 për qind të Rripit të Gazës pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit.
Në Gazën jugore, ushtria izraelite shkatërroi objektet dhe ndërtesat në verilindje të Khan Younisit, me palestinezët që raportuan zhurmën e një shpërthimi masiv të shkaktuar nga prishja. Shpërthimi përkoi me të shtëna me armë zjarri nga automjetet izraelite të stacionuara në lindje të qytetit, së bashku me granatimet e artilerisë.
Automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr edhe në drejtim të tendave që strehonin palestinezët e zhvendosur në zonën Al-Mawasi në veriperëndim të Rafahut në Gazën jugore. Nuk raportohet për viktima.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, shkeljet izraelite të armëpushimit kanë vrarë 1.041 palestinezë dhe kanë plagosur 3.372 të tjerë që nga 10 tetori 2025. Në përgjithësi, mbi 73 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 173 mijë janë plagosur që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza më 8 tetor 2023 ndërsa shkatërrimi i gjerë ka prekur 90 për qind të infrastrukturës civile.

