Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona dhe ka mbyllur 19 lokale gjatë zbatimit të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026 – Qershor 2026”, i realizuar në bashkëpunim me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in dhe institucione të tjera vendore.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar nga 8 deri më 12 qershor 2026 dhe ka përfshirë kontrolle në qendra masazhi, lokale të muzikës live, si dhe një plan taktik lidhur me eskortat.
“Nga data 8 deri më 12 qershor 2026 është realizuar Plani Operativ ‘Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026 – Qershor 2026’, në koordinim me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in dhe partnerë të tjerë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Gjatë aksionit janë inspektuar 59 lokale të muzikës live dhe 62 qendra masazhi në mbarë territorin e Kosovës.
Në lokalet e muzikës live janë identifikuar gjithsej 420 persona, prej tyre 317 gra dhe 103 burra. Nga ta, 186 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Ndërkohë, në 62 qendrat e masazhit janë hasur 104 persona, prej të cilëve 89 gra dhe 15 burra. Sipas Policisë, 60 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 44 shtetas të huaj nga Shqipëria, Tajlanda, Filipinet dhe Malavia.
Për shkak të shkeljeve administrative, inspektorët kanë mbyllur nëntë lokale të muzikës live dhe dhjetë qendra masazhi, ndërsa gjashtë lokale të muzikës live janë gjetur të mbyllura në momentin e inspektimit.
Policia bëri të ditur se gjatë operacionit nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.
“Gjatë realizimit të këtij plani nuk është identifikuar ndonjë rast i veprës penale ‘Trafikim me njerëz’”, thuhet në komunikatë.
Në kuadër të operacionit janë evidentuar shtatë raste të dyshuara për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Për këto raste janë arrestuar shtatë gra, katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy shtetase të Kosovës, të cilat dyshohet se kërkonin lëmoshë në rrugë së bashku me fëmijët e tyre. Trembëdhjetë fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale.
Po ashtu, Policia ka evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në kuadër të planit për eskortat. Në këto raste janë arrestuar tetë persona, katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, përkatësisht dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.
Sipas Policisë, të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet e muzikës live, qendrat e masazhit dhe në aktivitetet e eskortës janë intervistuar dhe u është ofruar mundësia të deklarojnë nëse ishin viktima të ndonjë forme shfrytëzimi.
“Të gjitha punëtoreve të hasura duke punuar në lokalet e muzikës, qendrat e masazhit dhe në eskorta u është dhënë mundësia e deklarimit nëse ndonjëra prej tyre është viktimë e ndonjë forme të shfrytëzimit (trafikimit), mirëpo nuk ka rezultuar me asnjë rast”, përfundon komunikata e Policisë së Kosovës.

