RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti turk Erdogan shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-emirit të Katarit

presidenti-turk-erdogan-shpreh-ngushellime-per-vdekjen-e-ish-emirit-te-katarit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të dielën shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-emirit të Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, në moshën 74-vjeçare, transmeton Anadolu.

Në një mesazh të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social NSosyal, Erdogan e cilësoi Sheikh Hamadin si “një mik të ngushtë” dhe vlerësoi rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Katarit.

Erdogan tha se kishte punuar përkrah ish-emirit në arenën ndërkombëtare gjatë viteve kur ishte kryeministër dhe se kishte qenë dëshmitar i përpjekjeve të tij për promovimin e stabilitetit në rajon, paqes në botën islame dhe mirëqenies së popullit të Katarit.

“Mësova me pikëllim të madh për ndarjen nga jeta të mikut tim shumë të dashur, Emirit Baba të Shtetit të Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani”, tha Erdogan.

Presidenti turk ia atribuoi Sheikh Hamadit një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve politike, tregtare, ushtarake, kulturore dhe atyre mes popujve të të dy vendeve.

Erdogan shprehu lutje për ish-emirin dhe u përcolli ngushëllime emirit aktual të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, familjes Al Thani, popullit të Katarit dhe mbarë botës islame.

“Në emrin tim, të familjes sime dhe të kombit tim, i shpreh ngushëllimet vëllait tim të dashur, Emirit të Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, familjes së Emirit Baba të ndjerë, popullit mik dhe vëlla të Katarit dhe botës islame”, tha ai.

Edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-emirit të Katarit, duke deklaruar në llogarinë e tij në NSosyal se është “thellësisht i pikëlluar” nga lajmi.

Duke e cilësuar ish-emirin si “një udhëheqës të shquar dhe burrë shteti të mençur”, Fidan vlerësoi rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Katarit.

“Do ta kujtojmë gjithmonë me mirënjohje rëndësinë që i kushtoi forcimit të marrëdhënieve me Turqinë dhe përpjekjet e tij të përkushtuara për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal e global. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe popullit të Katarit dhe lutemi që Zoti ta mëshirojë lartmadhërinë e tij, ish-emirin Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani”, shtoi ai.

Sheikh Hamad udhëhoqi Katarin nga viti 1995 deri në vitin 2013, kur ia dorëzoi pushtetin djalit të tij, Sheikh Tamim. Katari njoftoi të dielën për vdekjen e tij.

Related posts

Zelenskyy zotohet për zgjerimin e sulmeve me dronë kundër Rusisë

Irfan Jahiu

Gjyqi ndaj ish-presidentit/ Prokuroria: Trump u përpoq të manipulonte zgjedhjet me pagesat! Avokatët: Padia gjyqësore e pabazë

admin

Zbulohen mbi 40 kg kokainë në rrjetin e supermarketeve franceze, ja ku ishte fshehur lënda narkotike

admin