Stuhitë e forta të shoqëruara me vetëtima shkaktuan përmbytje dhe ndërprerje në pjesë të Zvicrës të enjten mbrëma ndërsa moti i ashpër pritet të vazhdojë edhe sot, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu.
Sipas “Swissinfo”, duke cituar Keystone-SDA, zjarrfikësit në kantonin e Cyrihut iu përgjigjën 268 incidenteve, shumica prej të cilave përfshinin ndërtesa të përmbytura dhe pemë të rrëzuara. Transmetuesi publik zviceran SRF Meteo regjistroi mbi 26 mijë goditje rrufeshë deri në orën 23:00 pasi shiu i rrëmbyeshëm përfshiu disa rajone.
Në qytetin verior të Winterthurit ishin të pranishme reshjet më të dendura të shiut, ku rreth një e treta e mesatares së reshjeve të korrikut ra në një mbrëmje të vetme, thuhet në raport.
Në Zvicrën perëndimore, festivali i xhazit Montreux mbylli përkohësisht dhe evakuoi skenat e tij të famshme buzë liqenit dhe strukturat e përkohshme pak pas orës 20:00 si masë paraprake për shkak të stuhisë. Organizatorët e hoqën alarmin e sigurisë në orën 21:23 dhe shfaqjet e vonuara u rifilluan me sukses.
Breshëri i fortë përfshiu gjithashtu disa zona, duke u shtrirë nga Zvicra qendrore deri në Winterthur.
“MeteoSwiss” lëshoi paralajmërim për stuhi të nivelit 3 për pjesë të Zvicrës qendrore, përfshirë rajonin Entlebuch, si dhe duke paralajmëruar për vetëtima, përmbytje të shpejta, rrëshqitje dheu në shpatet e pjerrëta, breshër dhe rënie të degëve ose pemëve të izoluara.
Agjencia e motit këshilloi qytetarët të shmangin zonat e ekspozuara si kreshtat malore, terrenet e hapura dhe trupat ujorë dhe të sigurojnë objekte të lirshme në natyrë dhe të qëndrojnë vigjilentë për kushtet e motit që ndryshojnë me shpejtësi.

